Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pranuar se një ndihmë shpëtimtare prej 20 miliardë dollarësh nga SHBA-ja për të qetësuar krizën e monedhës në Argjentinë, është një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet legjislative që zhvillohen këtë muaj në vendin e Amerikës së Jugut.
Duke mirëpritur udhëheqësin libertarian argjentinas, Javier Milei, në Shtëpinë e Bardhë, Trump paralajmëroi se SHBA-të nuk do të “humbnin kohën” për të ndihmuar Argjentinën nëse partia e Mileit nuk do të fitonte zgjedhjet.
Milei e vlerësoi Trumpin për përpjekjet e tij për paqe dhe tha se politikat e presidentit amerikan do të çonin në “prosperitet”.
Trazirat financiare të Argjentinës ndodhin përpara zgjedhjeve kombëtare të mesit të mandatit më 26 tetor, të cilat shihen si një provë e dëshirës së votuesve për të mbështetur agjendën e Mileit për reforma të tregut të lirë dhe uljen e kostove.
Gjatë takimit me homologun argjentinas të martën, Trump tha: “Zgjedhjet po vijnë shumë shpejt, janë zgjedhje shumë të mëdha. Fitorja [për Milei] është shumë e rëndësishme. Shifrat e sondazheve që dëgjoj janë mjaft të mira. Mendoj se do të jenë më të mira pas kësaj. Dhe, e dini, miratimet tona varen disi nga kush fiton zgjedhjet.”
Ai shtoi se, nëse “fiton një socialist”, SHBA-të do të ndihen “shumë ndryshe” për mbështetjen ndaj Argjentinës.
“Nëse ai humb, ne nuk do të jemi bujarë me Argjentinën”, tha Trump.
Nga ana e tij, Milei fajësoi kundërshtarët politikë për problemet ekonomike të vendit: “Ky problem likuiditeti që ka Argjentina është rezultat i sulmeve politike që kemi pësuar nga kundërshtarët tanë”, u shpreh ai.
Mbështetja e Trump për aleatin e tij libertarian, i cili mori detyrën në dhjetor 2023, nuk është sekret.