Gjykata e Lartë mbështeti të premten unanimisht ligjin federal që ndalon rrjetin TikTok në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga e diela, nëse nuk shitet nga kompania e saj mëmë me seli në Kinë. Gjykata vlerëson se rreziku për sigurinë kombëtare që vjen nga lidhjet e rrjetit TikTok me Kinën, i kapërcen shqetësimet për kufizimin e lirisë së shprehjes për 170 milionë përdoruesit e këtij aplikacioni në Shtetet e Bashkuara.
Pas kësaj ka reaguar presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Ai është shprehur se vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila sot la në fuqi ligjin për mbylljen e TikTokut, “ishte i pritshëm dhe të gjithë duhet ta respektojnë”.
“Vendimi im për TikTokun do të merret në të ardhmen e afërt, por duhet të kem kohë për të shqyrtuar situatën”, ka thënë Trump në një mesazh në platformën e tij “Truth Social”.
Ndalimi i TikTokut në SHBA do të hyjë në fuqi të dielën, më 19 janar, përveç nëse kompania kineze ByteDance e shet rrjetin social te një kompani amerikane.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, ligji i miratuar vitin e kaluar në Kongres, i votuar edhe nga republikanët edhe nga demokratët, nuk përbën shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili mbron lirinë e fjalës.