Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zgjedhur Kevin Warsh për të udhëhequr Rezervën Federale të Shteteve të Bashkuara, pasi mandati katërvjeçar i kryetarit aktual, Jerome Powell, përfundon në maj.
Warsh është ish-guvernator i Rezervës Federale dhe ishte konsideruar për postin e kryetarit edhe gjatë mandatit të parë të Trumpit. Ai ka qenë një kritik i zëshëm i Fed-it dhe pritet të mbështesë uljen e normave të interesit në afat të shkurtër.
Emërimi vjen në një kohë kur po shtohen shqetësimet për pavarësinë e Rezervës Federale, pas sulmeve gjithnjë e më të shpeshta të Trumpit ndaj Powellit muajt e fundit, raporton BBC.
Powell e ka zemëruar Trumpin duke mos ulur normat e interesit mjaftueshëm shpejt, ndërsa prokurorët federalë së fundmi kanë hapur një hetim penal lidhur me dëshminë që ai ka dhënë në Senat për renovimet e ndërtesave të Fed-it. Hetimi i Departamentit të Drejtësisë (DoJ) nxiti një reagim të fortë nga Powell dhe mesazhe mbështetjeje nga ish-kryetarë të Fed-it dhe drejtues bankash qendrore.
Warsh, i cili shërbeu si guvernator i Fed-it nga viti 2006 deri më 2011, është rishfaqur javët e fundit si një zgjedhje e mundshme për postin më të lartë, teksa është rritur spekulimi për zëvendësimin e drejtuesit aktual nën presion.
Duke njoftuar nominimin në Truth Social, Trump tha se Warsh “do të mbetet në histori si një nga kryetarët më të MËDHENJ të Fed-it, ndoshta më i miri”.
Emërimi i Warshit duhet ende të miratohet nga Senati, çka do të thotë se mund të përballet me vonesa të gjata.
Nëse konfirmohet, ai do të marrë drejtimin e Fed-it në një periudhë jashtëzakonisht të tensionuar, ndërsa ekonomistët dhe investitorët e Wall Street-it po monitorojnë kërcënimet ndaj autonomisë së bankës qendrore.
Kush është Kevin Warsh?
Warsh, një ekonomist 55-vjeçar, është bashkëpunëtor në Institutin Hoover me prirje të djathta dhe anëtar i bordit të kompanisë së transportit UPS. Ai ka qenë një kritik i hapur i Fed-it, duke kritikuar që nga mbështetja e tepruar e bankës qendrore në të dhëna, deri te përdorimi i aktiveve në bilancin e saj.
Ai e ka ashpërsuar retorikën që kur është shfaqur si kandidat për postin e kryetarit të Fed-it, duke shkuar deri aty sa të bëjë thirrje për “ndryshim regjimi”.
Si guvernator i Fed-it, Warsh kishte reputacion relativisht “hawkish” (i ashpër), që do të thotë se prirej të favorizonte norma më të larta interesi dhe i merrte seriozisht shqetësimet për inflacionin.
Megjithatë, tani ai shihet si një zë që do të mbështeste uljen e normave të interesit në afat të afërt. Ai ka argumentuar se Fed-i duhet të zvogëlojë bilancin e tij për të ulur normat afatshkurtra, ndonëse disa kanë vënë në dyshim logjikën e tij.
Këtë javë, Rezerva Federale votoi për t’i mbajtur normat e interesit të pandryshuara, pavarësisht presionit të Shtëpisë së Bardhë për ulje. Vendimmarrësit po vazhdojnë të monitorojnë ndikimin në ekonomi të tre uljeve të normave të interesit të vitit të kaluar.
Ka shenja se tregu amerikan i punës po stabilizohet – krijimi i vendeve të punës është i ngadalshëm, por norma e papunësisë ka shënuar rënie. Inflacioni mbetet mbi objektivin prej 2% të Fed-it.
“Warsh do të duhet t’i bindë kolegët e tij se uljet e normave janë të përshtatshme këtë vit, një argument që nuk ka gjasa të fitojë mbështetje përveçse nëse tregu i punës tregon shenja të reja dobësimi ose presionet inflacioniste lehtësohen ndjeshëm më vonë këtë vit,” shkruan ekonomistët e Deutsche Bank në një raport kërkimor të premten.
Warsh ka gjithashtu lidhje të afërta familjare me rrethin e Trumpit. Ai është i martuar me Jane Lauder, familja e së cilës njihet për grupin kozmetik Estée Lauder. Vjehrri i tij, biznesmeni miliarder Ronald Lauder, është një donator dhe aleat i kahershëm i Trumpit.
Senatori republikan Thom Tillis, anëtar i Komitetit Bankar të Senatit, ka deklaruar se do t’i kundërshtojë nominimet e Trumpit derisa të zgjidhet çështja e mundshme ligjore ndaj Powellit.
Trump ka sulmuar gjithashtu guvernatoren e Fed-it, Lisa Cook, të cilën dëshiron ta shkarkojë. Ai e ka akuzuar atë për mashtrim hipotekor, akuza që ajo i ka mohuar. Gjykata Supreme po e shqyrton aktualisht çështjen.
Warsh ishte parë si një nga katër kandidatët kryesorë për postin e kryetarit të Fed-it. Kandidatët e tjerë ishin këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë Kevin Hassett, guvernatori i Fed-it Christopher Waller dhe eksperti i obligacioneve në Wall Street, Rick Rieder.
Kur Warsh të marrë detyrën, tregjet financiare do ta ndjekin nga afër se sa i pavarur do të jetë ai nga presidenti Trump.
Stephen Brown, zëvendëskryeekonomist për Amerikën e Veriut në Capital Economics, tha se Warsh “duket si një zgjedhje relativisht e sigurt”.
“Qëndrimet e tij të ashpra prej kohësh duhet të ndihmojnë në zbutjen e shqetësimeve se ai mund të shndërrohet në një mbështetës të verbër të Trumpit,” shtoi ai.
Ndërkohë që lajmi për nominimin e pritshëm të Warshit filloi të qarkullonte, dollari u forcua lehtë, ndërsa çmimi i arit ra me 6%.
Stuart Clark, menaxher portofoli në kompaninë e menaxhimit të pasurisë Quilter, tha se investitorët do të ndiheshin “disi të lehtësuar” nga nominimi i Warshit.
“Warsh ishte në garë për këtë post që në vitin 2017 dhe, si i tillë, vjen në këtë rol me një nivel autoriteti që respektohet gjerësisht në treg,” shtoi ai.
“Shqetësimet për pavarësinë e Fed-it dhe dobësimin e saj duhet tani të zbuten, megjithëse fjalët dhe veprimet e Warshit do të shqyrtohen me shumë kujdes nga pjesëmarrësit e tregut.”

