Presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Donald Trump foli në telefon me presidentin rus Vladimir Putin të enjten dhe diskutoi luftën në Ukrainë, raportoi të dielën Washington Post, duke cituar njerëz të njohur me këtë çështje.
Trumpi e këshilloi Putinin të mos e përshkallëzonte luftën në Ukrainë dhe i kujtoi atij “praninë e konsiderueshme ushtarake të Washingtonit në Evropë”, sipas raportimit.
Gjatë fushatës zgjedhore, Trumpi tha se do të gjente një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës “brenda një dite”, por nuk shpjegoi se si do ta bënte këtë.
Raporte të tjera tregojnë se Trumpi ka folur edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të mërkurën, duke theksuar përfshirjen e tij në të dyja anët e konfliktit.
Të premten, Kremlini konfirmoi se Putini ishte i gatshëm të diskutojë për Ukrainën me Trumpin, por theksoi se kjo nuk do të thotë se do të ndryshonin kërkesat e Moskës.
Më 14 qershor, Putin ka shpalosur kushtet e tij për përfundimin e luftës: Ukraina do të duhej të heqë dorë nga ambiciet e saj për në NATO dhe të tërheqë trupat nga katër rajonet që Rusia i ka shpallur të sajat.
Ukraina i ka refuzuar këto kushte, duke i cilësuar ato si dorëzim. Në vend të kësaj, presidenti Zelensky ka propozuar një “plan fitorje”, i cili kërkon mbështetje shtesë ushtarake nga Perëndimi.
Ndërkohë që lufta vazhdon, përpjekjet diplomatike janë në vazhdim, por ende nuk ka asnjë përparim të dukshëm, shkruan Reuters,