“Uau! Në bastisjen e FBI të Mar-a-Lago, ata më vodhën tri pasaportat (njëra e skaduar), së bashku me gjithçka tjetër”, shkroi Trump në një postim në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social.
“Ky është një sulm ndaj një kundërshtari politik në një nivel të paparë në vendin tonë. Bota e Tretë!”
Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë i tha ABC News se pasaportat e Trumpit i janë kthyer ekipit të tij.
Kur u pyet për koment, një zëdhënës i FBI-së tha për ABC News: “Në ekzekutimin e urdhrave të bastisjes, FBI-ja ndjek procedurat e kërkimit dhe sekuestrimit, të urdhëruara nga gjykatat, më pas i kthen sendet që nuk kanë nevojë të mbahen për qëllime të zbatimit të ligjit”.
Burime të shumta konfirmuan për ABC News se rezidenca e Trumpit në Palm Beach u kontrollua nga agjentët e FBI-së më 8 gusht, duke filluar nga ora 10 e mëngjesit me orën lokale. Ish-presidenti nuk ishte aty.
Burimet thanë se operacioni lidhej me 15 kutitë e dokumenteve që Trumpi mori kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, disa prej të cilave Arkivi Kombëtar ka thënë se ishin të klasifikuara. Në janar, Trumpi dorëzoi dokumente në Arkivin Kombëtar dhe avokatët e tij thanë se po kërkonin të dhëna shtesë që mund të kishin.
Ish-presidenti lëshoi një deklaratë natën e 8 gushtit, duke thënë se Mar-a-Lago “është aktualisht nën rrethim, bastisje dhe e pushtuar nga një grup i madh agjentësh të FBI-së”. Ai shtoi: “Ata hynë edhe në kasafortën time!”