Një turist amerikan është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore pasi kishte humbur orientimin gjatë eksplorimit në zonat malore të Përmetit.
Sipas raportimeve, turisti po lëvizte në masivet pyjore të zonës kur humbi kontaktin me rrugën dhe nuk arriti të gjente drejtimin e kthimit. Pas njoftimit të autoriteteve, strukturat lokale të emergjencës dhe ekipet e kërkim-shpëtimit nisën menjëherë operacionin për lokalizimin e tij.
Kërkimet u zhvilluan për rreth 10 orë në një terren të vështirë malor, me pyje të dendura dhe reliev të thepisur.
Turisti u gjet në afërsi të fshatit Draçovë nga specialistët e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, të cilët morën pjesë në operacionin e kërkimit.
Autoritetet bënë të ditur se ai nuk ka pësuar lëndime dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Rasti rikthen vëmendjen te rëndësia e respektimit të masave të sigurisë gjatë eksplorimeve në zonat malore, veçanërisht në terrene të panjohura dhe të vështira për orientim.

