Sot u raportua për një rast të sulmit ndaj Policisë së Kosovcës, në fshatin Kopiliq i Ulët në Skenderaj, ku një person u kap me substanca narkotike dhe i rezistoi arrestimit, ku në shenjë revolte ka goditur policët. 50-vjeçari i dyshuar do të hetohet tashmë për dy vepra penale, për çka ka përfunduar në ndalim policor.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi i dyshuar për këtë rast është Haki Azemaj, i cili dyshohet për kanosje dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Rasti ka ndodhur pasi Policia ndaloi veturën në të cilën ndodheshin tre të dyshuar, ku gjatë kontrollit u gjet një sasi e narkotikëve. Kjo ka bërë që Policia t’i arrestojë të dyshuarit, por Azemaj rezistoi dhe e sulmoi në kokë njërin nga policët.
Si pasojë e kësaj, zyrtari policor ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, kurse 50-vjeçari që me vete mbante edhe një thikë, u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që njëri nga të dyshuarit të hetohet në liri për ‘Posedim të paautorizuar të narkotikëve’, ndërsa 50-vjeçari është dërguar në mbajtje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

