Shtatë persona janë arrestuar të enjten nën dyshimin për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës, aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës dhe lidhet me dyshimet për kryerjen e veprave penale: korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje të tjera në lidhje me këto arrestime.
Siç është bërë e ditur gjatë operacionit, Policia e Kosovës me njësitet e DHKEK, pas hetimeve të autorizuara nga PSRK, ka kapur në flagrancë tre të dyshuar duke shkëmbyer para në vlerë prej 9,900 €, si pjesë e marrëveshjes për ndarje të ryshfetit.
Në koordinim me prokurorinë, njësitet policore kanë kryer kontrolle në pesë lokacione, ku janë sekuestruar, para të gatshme, tri automjete, gjashtë telefona mobil, një laptop dhe, në një nga lokacionet, armë dhe municion.
“Policia e Kosovës, respektivisht DHKEK, pas hetimeve të zhvilluara me autorizim të PSRK-së, ka kapur në flagrancë tre të dyshuar duke shkëmbyer para në vlerë të 9900€ si pjesë e marrëveshjes në mes tyre për ndarje të ryshfetit. Në koordinim me prokurorinë, njësitet policore kanë vazhduar me kontroll në pesë lokacione, ku gjatë kontrollit janë sekuestruar dëshmitë si në vijim; para të gatshme, tri vetura, gjashtë telefona mobil, një llaptop, etj,. si dhe në një nga lokacionet janë gjetur armë dhe municion. Lidhur me rastin janë arrestuar shtatë të dyshuar ( gjashtë meshkuj dhe një femër kosovare ) dhe të njëjtit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.
Në mesin e të arrestuarve është ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli./

