Telenews

“Udhëtim në kohë” hapi mbrëmë RLIOF, një mbrëmje e mahnitshme që jehoi kokë e këmbë shqip

Era Berisha

Një mbrëmje mbresëlënëse e mbushur plot me melodi shqipe rezultoi nga koncerti i Adhurim Grezdës dhe bendit “Don’t listen to your neighbors”, të cilët mbrëmë promovuan albumin e tyre të emërtuar “Udhëtim në kohë”, pikërisht në natën e parë të hapjes së edicionit të dytë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”. Një udhëtim në kohë nëpër këngë të vjetra shqiptare që vinë të aranzhuar në një stil perfekt, e përjetuan të gjithë të pranishmit që u pushtuan ëmbëlsisht me prekjen madhështore të secilit tingull.  

Edicioni i dytë i këtij festivali nisi mbrëmë me një stil mjaft unik të elementeve të xhazit të përcjellura përmes aranzhimeve të sofistikuara. Ky koncert dukshëm pati pranë një numër të madh të artdashësve të cilët me padurim prisnin daljen në skenë të artistëve që do të performonin në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Me një ndriçim të ngrohtë në dy qoshet e skenës si dhe ato në distancë përbri skenës, reflektorët e kaltër të vendosura përreth sallës si dhe dritat në prapaskenë që ndërronin sa herë që publiku bëhej pjesë e koncertit, ishin ato që vinin në pah akoma më shumë interpretimin e veçantë të instrumentistëve në skenë. Me një logo të dizajnit në prapavijë dhe dritën natyrale që bie pingul në mes të hapësirës, të pranishmit mbushën sallën qosh më qosh, teksa disa nga ta edhe qëndruan në këmbë nga fillimi e deri në fund.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘RLIOF’ e nisi koordinatorja artistike e festivalit, Ulpiana Aliaj e cila u shpreh se ndjehet mjaft e nderuar që salla ishte e mbushur plot.

“Jemi vërtetë të nderuar që sot po e nisim edicionin e dytë të ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’. Sa mirë të shohësh këtë sallë kaq të mbushur me të rinj, me artistë, me diplomatë dhe të gjithë ata që përfaqësojnë të gjitha kategoritë dhe që mbi të gjitha, vlerësojnë artin, e për këtë ju jemi shumë mirënjohës. Edicionin e dytë e nisim sot me një mbrëmje specifike dedikuar dhe kushtuar muzikës shqipe, një gjerdan shumë i vlefshëm për kulturën, artin dhe traditën tonë”, thotë Aliaj.

Për të pranishmit të cilët janë adhurues të muzikës unike të bendit “Don’t listen to your neighbors”, në hyrje të hapësirës ishin të vendosura rishtazi edhe një numër i madh i CD-ve, brenda të cilave gjendej edhe albumi më i ri i tyre. Ndërkaq, para se koncerti të gjente nisjen e tij, skena ishte ajo që ishte e mbushur plot në secilin cep. Instrumentet diversive pas pak do të gjallëroheshin nga një formacion i zgjeruar, pak më ndryshe sesa treshja tashmë e njohur e këtij bendi. Njëri pas tjetrit, dalja e tyre në skenë u shoqërua me një duartrokitje të paparë nga ana e publikut.

Gjithsej trembëdhjetë këngë pushtuan atmosferën që nga fillimi e gjerë në mbarim. Fiks në orën 20:15 u lëshua tingulli i parë dhe zëri i mrekullueshëm i baritonit Adhurim Grezda nuk u ndal për asnjë çast. Me një veshje elegante, secila notë muzikore i shkrihej natyrshëm zërit të tij të butë dhe njëkohësisht të fuqishëm, që në ndërlidhje me audion aq të pastër të instrumenteve, ky koncert dëshmoi për një çiltërsi të jashtëzakonshme autentike.

Kënga arbëreshe “Ishte një ditë e muajit t’majit”, “Valle arbëreshe”, kënga qytetare përmetare “A kanë uj’ ato burime”, poezia “Kroi i fshatit tonë”, kënga popullore e Shqipërisë së mesme “Jam bandill, trim i fortë”, kënga popullore korçare “25 gërsheta”, kënga popullore elbasanase “Malenake”, “Hala s’të ra ndërmend”, kënga qytetare shkodrane “Tash sa ditë e mot”, këngë qytetare beratase “Asaman, trëndafili i çelës”, kënga popullore durrsake “E vika Deti”, “Valle e Shqipërisë së mesme” si dhe “Mallëngjimi”, jehuan edhe përtej mureve të çdo shpirti të pranishëm. Kjo më së miri dallohej edhe atëherë kur secili person arriti që të krijojë ritme herë pas here në publik të cilat krijonin një gërshetim të mrekullueshëm mes artistëve dhe artdashësve.

Ndërkohë, anëtarët e tjerë që janë pjesë e këtij albumi si: Dalvin Mamusha në violinë, Endrit Xërxa në kitarë, Visar Kuçi në bas kitarë, Ervis Caushi në fizarmonikë, Fatjon Miftari në piano, Ardian Bakalli në daulle si dhe Tanju Sulejman në perkusion, kanë sjellë copëza magjie përbrenda secilës këngë. Çdo herë ndryshe në stilin e tyre, ata arritën që këtë mbrëmje ta ndezin flakë e publikun ta bëjnë për vete lehtazi. Njëlloj si emërtimi i albumit, “Udhëtim në kohë”, ky koncert ishte me të vërtetë i tillë. Këngët e vjetra shqiptare dhe popullore janë ringjallur për të lënë gjurmë të dukshme moderne.

Edhe pse teksti këndohej pothuajse nga gjithsecili i pranishëm, ishte vija melodike ajo që kishte ndërruar formë dhe kjo veçse është mirëpritur nga audienca që me duartrokitje të shumta ka mirëpritur secilën këngë. Me buzëqeshje në fytyrat e secilit dhe lëvizjet e tyre në vend, ritmi i tyre trupor ishte i të njëjtit nivel me atë në skenë. Këngë pas kënge, duartrokitje pas duartrokitje e instrument pas instrumenti, kjo mbrëmje dëshmoi për një nevojë të pashtershme që ka skena kulturore në Kosovë.

Është vetëm edicioni i dytë i këtij festivali, por tashmë netët e radhës po priten me padurim që të vinë sa më shpejt në kryeqytet. Krejt kjo dëshirë e dalluar erdhi nga kjo mbrëmje që dëshmoi për kapacitetin e lartë të profesionistëve shqiptarë të cilët me muzikën e tyre krijuan një mbrëmje magjike.

Baritoni Adhurim Grezda për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.

“Ideja e albumit ka ardhur gjatë periudhës pandemike dhe atëherë kohën e gjallëruam shpirtërisht me muzikë dhe njëkohësisht arritëm të përzgjedhim trembëdhjetë këngë për këtë album. Kryesisht këngët që i zgjedh janë këngë që i përshtaten vokalit tim dhe janë këngë që të gjithë i njohin. Shumica nga këngët janë nga Berati, Shkodra, Durrësi, Korça, një është valle arbëreshe dhe normalisht kënga ‘Mallëngjimi’ nga Muharrem Qena”, thotë ai.

Sipas tij, emërtimi i albumit “Udhëtim në kohë” ka ardhur nga ideja se nëpërmjet muzikës së dikurshme të vjen muzika bashkëkohore.

“’Asaman, trëndafili i çelës’ është një këngë që e kam dëgjuar qysh fëmijë dhe kam nostalgji sa herë e dëgjoj andaj dhe këtyre këngëve i ka ardhur momenti që t’i punojmë në mënyrë profesionale”, thotë Grezda.

Po ashtu, kitaristi Endrit Xërxa tregoi pak për procesin e krijimit të një albumi si dhe përshtypjeve të tij për këtë mbrëmje.

“Normalisht ka qenë një emocion i madh për të qenë në skenë duke marrë parasysh që nuk jemi marrë vetëm me aranzhimin e këngëve por jemi marrë edhe me incizimin e tyre, dizajnimin e kopertinës, me ftesën për instrumentistë të tjerë ngase nuk kemi qenë vetëm ne si trio dhe pas krejt kësaj pune është shpërblyer mundi jonë. Në secilën këngë, ne kemi ndërhyrë me aranzhimet tona më moderne, por ka edhe këngë që ne ia kemi ndërruar komplet formën vetëm teksti ka mbetur siç ka qenë, p.sh poezinë “Kroi i fshatit tonë” e kemi shndërruar në këngë dhe llogaritet si me qenë një këngë e re”, thotë ai.

Gjithashtu, violinisti Dalvin Mamushaj e vlerësoi kohën pandemike si një kohë që ka rezultuar mirë për diçka, e në këtë rast, në krijimin e albumit të tyre.

“Ishte një kënaqësi me të vërtetë e veçantë që sonte ishim pjesë e festivalit të Ramë Lahajt dhe patëm rastin të prezantojmë punën tonë dy vjeçare. Ka qenë një periudhë e vështirë në fillim pasi që patëm edhe pandeminë por në këtë rast ka pasur edhe të mirat e veta ngaqë kemi pasur mundësinë të sjellim punën tonë. Në këtë rast kemi ardhur me një formacion më të zgjeruar dhe ka qenë një ndjenjë tjetër për neve e po ashtu edhe për publikun sepse kanë mundur të dëgjojnë shumëllojshmërinë e ngjyrave”, shpalos Mamushaj.

“Ramë Lahaj International Opera Festival” gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 4 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali vjen më datë 24 korrik nën emërtimin “Opera Night” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Fotografitë: Arben Llapashtica KultPlus.com

 

Të ngajshme

“U kry çdo sen!”, Gjesti i preferuari i publikut

Erzana Fazliu

Xuxi pretendon se Gresa “ka pëlqim për të” – këto janë sinjalet, sipas tij!

Erzana Fazliu

Loredana hap zemrën, tregon periudhën si e përjetoj ndarjen me Mozzik-un

Erzana Fazliu