Faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës, ka ndarë disa informata të rëndësishme lidhur me afatin e pasaportës për qytetarët që duan të hyjnë në zonën Shengen pas 1 janarit 2024, kur edhe pritet të liberalizohen vizat.
Sipas kësaj faqeje, për të hyrë në zonën Shengen është e rëndësishme që qytetarët të kenë pasaportë me afat të mjaftueshëm.
Pasaporta duhet të jetë e vlefshme për së paku tre muaj pas datës së planifikuar të largimit nga zona Shengen.
Njoftimi i plotë:
Si funksionon rregulli i 3 muajve afat në pasaportë për të hyrë në zonën Shengen? 🛂
Për të hyrë në zonën Shengen, është e rëndësishme të keni një pasaportë me afat të mjaftueshëm. Pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme për së paku tre muaj pas datës së planifikuar të largimit nga zona Shengen. Për shembull, nëse planifikoni të hyni në zonën Shengen më 1 mars, 2024 dhe deklaroni tek policia kufitare se do të qëndroni deri më 15 mars, 2024 atëherë pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme së paku deri më 15 qershor, 2024 pra tre muaj pas datës së planifikuar të kthimit.