Dy oferta i ka pranuar Kuvendi i Kosovës në tenderin për shërbimet e bufesë.
Tenderi për “shërbime hotelerie”, i hapur në korrik të këtij viti, ishte hapur tre muaj më parë për angazhimin e një kompanie që do të ofronte shërbimet e busefë në kuvend.
Në këtë proces ofertuan dy kompani private, përfshirë edhe ish-menaxhuesit e bufesë, kompaninë “ShqiponjaBFB” dhe biznesin individual “Isuf Musliu B.I.”.
Por, të dy ofertat janë shpallur të papërgjegjshme nga Zyra e Prokurimit të Kuvendit të Kosovës.
Të dy operatorët ekonomikë ofertuan me çmime manipulative dhe joreale të tregut, tha Zyra e Prokurimit të Kuvendit të Kosovës në një vendim për anulim të procedurës tenderuese të enjten e javës së kaluar.
“Autoriteti Kontraktues – Kuvendi i Republikés sé Kosovés, mori vendim si né vijim: Anulohet procedura e prokurimit, me atsyetimin se asnjé nga ofertat e pranuata nuk ka rezultuat e pérgjegjshme”, thuhet në vendim.
Në ofertat e të dy kompanive pjesëmarrëse, uji natyral kishte çmim më të shtrenjtë sesa uji i gazuar.
Kjo lëvizje e dy ofertuesve për bufenë e kuvendit është konsideruar manipulative për shkak se uji natyral është ndër artikujt më të konsumuar nga deputetët.

“Komisioni vlerésues duke pas parasysh lehtësirat që AK-ja [Kuvendi, v.j] ua ofron operatorëve ekonomik (Restoranti komplet me pajisje dhe inventar, me hapësirë punuese rreth 300 m2, lirim nga shpenzimet e energjisë, ujit, ngrohjes si dhe mirëmbajtjes teknike të hapësirave ku zhvillohet veprimtaria), ka vërejtur se nuk keni dorëzuar çmime reale të tregut”, thuhet në vendimin e Zyrës së Prokurimit të Kuvendit.
Kompanitë u përpoqën ta mashtronin kuvendin me çmim të ujit natyral në shumë prej 0.80 euro.
“Për artikullin numër rendor 12, Ujë natyral (qelq) 0.25 litër keni ofertuar me çmim 0.80 euro, ndërsa për artikullin rendor numër 13, Ujë i gazuar (qelq) 0.25 litër keni ofertuar me çmim prej 0.40 eruo. Bëhet fjalë për ambalazhe të njëjtë (qelq) dhe sasi të njëjte (0.25L) dhe produkt thuajse të njëjtë, por dallimi në çmim i këtyre dy produkteve është 100 %”, thuhet në vendim.

Në treg, çmimet e ujit të gazuar dhe natyral kanë çmime të tjera.
“Madje Ujë i gazuar (qelq) 0.25 litër ka çmim pak më të lartë se uji natyral. Uji natyral në qelq 0.25L, kushton 0.35 euro, ndërsa uji i gazuar në qelq 0.25L kushton 0.39 euro. (çmimet janë nga marketet në vend dhe janë çmime të pakicës”, tha Kuvendi i Kosovës në vendimin për anulimin e njërës prej ofertave.
Kompania tjetër ofertuese ka ofertuar me çmim 0.70 euro të ujit natyral, ndërsa 0.50 euro për ujin e gazuar. Edhe kjo ofertë është shpallur e papërgjegjshme.
Tenderi për “shërbime hotelerie” është anuluar të mërkurën.

