Në Kampin Film City në Prishtinë u mbajt sot ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë.
Gjenerali i Ushtrisë Turke, Ozkan Ulutash ia dorëzoi këtë post gjeneralmajorit italian, Enrico Barduanit.
Prezentë në këtë ceremoni, në mesin e ambasadorëve, ministrave dhe figurave të tjera të rëndësishme, ishin dhe dy krerët e shtetit, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, Admirali Stuart B. Munsch, gjatë fjalimit të tij tha se pavarësisht pozicioneve të qeverisë, e ka vështirë ta gjejë dikë në rrugët e qytetit që do që qeveria të kthehet në kushtet e 25 vjetëve më parë dhe se për këtë arsye në komunitetin ndërkombëtar mbesin të përkushtuar për të punuar së bashku për të promovuar stabilitet dhe prosperitet për të gjithë popullatën në Kosovë.
Ai shtoi se NATO, KFOR-i, Bashkimi Evropian, OSBE-ja dhe UNMIK-u, të gjithë do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë.
Munsch tutje tha se dëshiron ta bëjë të qartë që NATO dhe KFOR-i e mbështesin plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si e vetmja kornizë për t’i rregulluar çështjet e pazgjidhura. Këtë fjali ai e përsëriti dy herë, duke ua hedhur një vështrim të gjatë të pranishmëve.
“Të vepruarit jashtë këtij dialogu, të vepruarit pa përkushtim të mirëfilltë ndaj këtij dialogu, ose të thuash se çfarë duhet të përfshihet ose përjashtohet nga ky dialog, janë veprime që nuk do të arrijnë asnjë siguri kuptimplotë”.
“Për më tepër, qeveritë duke vepruar në mënyrë të pakoordinuar jashtë këtij dialogu, duke përshkallëzuar në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe pa nevoje, minojnë reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm ndërkombëtarë”.
“Për një ambient të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë komunitetet në Kosovë, unë jam i bindur që KFOR-i do të mbesë i përkushtuar. Jam i bindur që NATO do të mbetet e përkushtuar, jam i bindur që komuniteti ndërkombëtar do të mbetet i përkushtuar. I kërkoj qeverisë së Serbisë dhe institucioneve në Kosovë që të jenë të përkushtuar”, deklaroi Munsch.
Ndërkaq e para e shtetit, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj, në emër të qytetarëve të Kosovës shprehu mirënjohjen ndaj KFOR-it që për 25 vjet ka qenë me ne në çdo hap dhe për ta bërë Republikën vend të qetë dhe të sigurt.
“Ne emër të vendit tim e them që njerëzit e institucioneve do të punojnë ngushtë me partnerët për të ofruar siguri për të gjithë. Falënderoj forcat e NATO-s që qëndruan me ne edhe në rastin e agresionit në shtatorin e vitit të kaluar”, deklaroi Osmani, duke vazhduar me falënderimin edhe në gjuhën turke për Ulutashin, ndërsa Barduanit i uroi mirëseardhje në gjuhën italiane.
Ajo më pas e dekoroi me medalje Ulutashin, për shërbimin e tij si komandant i KFOR-it në Kosovë.
Ky i fundit i uroi sukses Barduanit. Ai po ashtu e përsëriti faktin që NATO-ja e përkrahë plotësisht dialogun Kosovë-Serbi dhe se mbetet optimist që pengesat do të kapërcehen.
Ndërkaq, komandanti Badruani, pasi e mori detyrën u shpreh se është moment shumë emocionues për të dhe siguroi që KFOR-i do të vazhdojë të sigurojë ambient të sigurt për të gjithë.