Elizaveta Vladimirovna Krivonogih (22 vjeçe), për të cilën besohet se është vajza e fshehtë e presidentit rus Vladimir Putin, ka publikuar së fundmi një seri mesazhesh enigmatike dhe të fuqishme në kanalin e saj privat në Telegram. Edhe pse nuk përmend askënd me emër, shumë ndjekës besojnë se ato janë një përballje indirekte me të atin e saj biologjik.
“Është çliruese të mund të tregoj përsëri fytyrën time para botës”, ka shkruar Elizaveta, e cila jeton në Paris. “Kjo më kujton kush jam dhe kush ma ka shkatërruar jetën”, ka shtuar ajo, sipas mediave gjermane që kanë transmetuar postimin.
Elizaveta, e diplomuar në arte, është e njohur edhe me pseudonimin artistik Luiza Rozova. Ajo është vajza e Svetlana Krivonogih, një ish-punëtore shtëpie e Putinit. Ajo ka lindur në vitin 2003, dhe për herë të parë lidhja e mundshme familjare me presidentin rus u publikua nga portali investigativ Proekt në vitin 2020, duke u bazuar në një “ngjashmëri fizike tronditëse” mes saj dhe Putinit.

Edhe pse Putin nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht atësinë, vetë emri i mesëm i saj – Vladimirovna, që do të thotë “vajza e Vladimirit” – ka rritur më tej dyshimet për origjinën e saj.
Në qendër të vëmendjes publike ajo doli për herë të parë përmes postimeve në Instagram, të cilat u zbuluan në vitin 2021 nga lideri opozitar i vrarë Aleksej Navalny. Ato fotografi shfaqnin një jetë luksoze, me veshje të brendeve të shtrenjta dhe ambiente që për qytetarin e zakonshëm rus janë të paarritshme – duke nxitur zemërim dhe spekulime për lidhje të drejtpërdrejta me pasurinë e Putinit.
Pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, Elizaveta u tërhoq nga publiku. Llogaria e saj në Instagram u fshi dhe të gjitha fotografitë ku shfaqej fytyra e saj u hoqën. Ajo është kthyer sporadikisht, por gjithnjë me kujdes dhe rezervë.

Aktualisht, Elizaveta punon në një galeri arti në Paris, e specializuar në vepra kundër luftës, dhe është shprehur gjithnjë e më haptazi kundër agresionit rus. Në një nga postimet e saj ajo dënon masakrat e regjimit, për të cilin shumë besojnë se udhëhiqet nga vetë babai i saj.
“Më mirë të jem askushi, sesa ajo që familja më detyroi të jem”, ka shkruar ajo. Në postimet e fundit, Elizaveta ka zbuluar edhe një pseudonim të ri – Elizaveta Rudnova – i frymëzuar nga mbiemri i ish-aleatit të afërt të Putinit, Oleg Rudnov, një zgjedhje që shumë e shohin si koment ironik ndaj situatës së saj familjare.
Edhe pse Elizaveta është përpjekur të largohet nga jeta e mëparshme e shënuar nga luksi dhe privilegjet, një pjesë e publikut mbetet skeptike për sinqeritetin e këtij transformimi. Kritikat nuk kanë munguar – disa mendojnë se, pavarësisht deklaratave të saj, ajo nuk duhet të punojë në hapësira ku vijnë edhe refugjatë ukrainas, e aq më pak të përfitojë nga lidhjet familjare që i kanë sjellë këtë jetë.

“A jam vërtet përgjegjëse për veprimet e një familjeje që as nuk më dëgjon?”, ka shkruar ajo në një mesazh mbrojtës.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk e ka pranuar kurrë publikisht Elizavetën, as ndonjë fëmijë tjetër përveç dy vajzave që ka nga martesa e tij e parë. Megjithatë, thashethemet për jetën e tij private nuk pushojnë.
Thuhet se ai ka edhe dy djem të tjerë, të moshës 10 dhe 6 vjeç, me ish-gjimnasten dhe kampionen olimpike Alina Kabaeva, me të cilën prej kohësh lidhet në mënyrë jozyrtare. Si gjithçka tjetër që lidhet me jetën personale të Putinit, edhe kjo histori mbetet e mbuluar me mister.
Por mesazhet publike të Elizaveta Krivonogih po hedhin dritë të re mbi këtë realitet të errët e të mbyllur.