Është duke vazhduar procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve lokale të së dielës në Qendrat Komunale të Numërimit në 34 komuna të Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në një prononcim për Klankosova.tv tregoi se për cilat vende bëhet fjalë.
“Njoftojmë se është duke vazhduar procesi në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prizren (me 6 grupe numërimi), Skenderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut”.
Në QKN e Hanit të Elezit numërimi dhe verifikimi është përmbyllur të hënën në mbrëmje”, tha Elezi.
Ai njëherësh tha se deri më tani, janë verifikuar rezultatet nga 250 vendvotime në nivel vendi, pra janë procesuar 500 kuti votimi si për kryetarë ashtu edhe për asamble.
Elezi njoftoi se platforma e rezultateve është duke funksionuar pa ndonjë problem, por sipas tij në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot ky proces nuk është duke u zhvilluar aktualisht për shkak të rrjetit të dobët të internetit.
“Në disa QKN, si në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot ky proces nuk është duke u zhvilluar aktualisht për shkak të rrjetit të dobët të internetit, i cili po pamundëson transmetimin e pamjeve në televizorët/ekranet për vëzhguesit”.
“Në këto ekrane duhet të shfaqen pamjet nga kamera e vendosur në tavolinën e numërimit ku prezantohen fletëvotimet, për tu parë nga të gjithë. Ekipet e KQZ-së janë duke punuar që ky proces të fillojë sa më shpejt edhe në këto QKN dhe për këtë, KQZ do të njoftojë me kohë”, theksoi ai.
Më 12 tetor, Kosova votoi për zgjedhjen e 38 kryetarëve të komunave, proces ky ku votuan 811 mijë e 984 qytetarë ose 40.10 % nga 2 milionë e 25 mijë e 105 me të drejtë vote.