Banorët e Prishtinës, për të tretën ditë me radhë janë detyruar që të bëjnë zgjidhje alternative në mungesë të transportit publik. Për pasojë, kolona të gjata janë krijuar në kryeqytet e qytetarët janë përballur me pritje të gjata, ndërkohë që Qeveria në detyrë dhe zyrtarët komunalë kanë vazhduar akuzat ndaj njëri-tjetrit për situatën e komplikuar në komunë.
Transportuesit e “Trafikut Urban” dhe ata privatë protestuan dje para Komunës së Prishtinës e Qeverisë duke kërkuar që t’u bëhet pagesa.
Në një formë tjetër të protestës, ata për më shumë se dy orë pranë objektit të Komunës së Prishtinës dhe po ashtu pranë objektit të Qeverisë, vendosën autobusët.
Në këtë segment të rrugës që lidh dy institucionet u krijuan kolona të gjata.
Sindikalistët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve publiko-privat kanë thënë se grevën do ta vazhdojnë deri në realizimin e kërkesës së tyre.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha dje se sa i përket situatës me punëtorët e Trafikut Urban, Ministrit Muratit as që i intereson kjo pjesë.
Tha se i ka bllokuar edhe fonde të tjera, teksa pjesëmarrja e tij në protestën e punëtorëve tha se erdhi me ftesë të tyre.
“I kanë bllokuar edhe fondet e tjera, edhe fondin për investime kapitale e shumë fonde tjera që na kanë pamundësu me i kry punët në kryeqytet, e me na qit neve keq që me i fitu zgjedhjet. Ministrit në detyrë nuk i intereson, pa asnjë emocion sillet ndaj protesuesve. Më ftuan dhe u bashkangjita”.
Ai tha se punëtorët kanë punuar me muaj të tërë pa pagesë, me shpresën se pas zgjedhjeve do të paguhen.

