Në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të vazhdojë seanca në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Në këtë seancë paraqitjen e mbrojtjes së tij do ta japë i akuzuari i tretë për këtë rast, Kushtrim Kokalla.
Ai ngarkohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Naim Murseli dhe Granit Plava ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës, pasi që Naim Murseli, ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e Liridona Ademajt dhe ai ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin. Të tre akuzohen se janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim në shumë prej 30 mijë euro.
Dyshimet janë se Murseli me datë 29 nëntor 2023 ka siguruar armën e zjarrit, të cilën ia ka dhënë Plavës, e që armën e ka përdorur për vrasjen e të ndjerës Liridona Ademajt.
Ai ngarkohet edhe për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

