Telenews

Vëllai i 66-vjecarit të vdekur në Gjilan: Ne kërkuam në vendin ku u gjet trupi me herët

 

 

Lajmërim Hamiti, vëllai i Musah Hamitit, ka folur për trupin e pajetë të familjarit të tij që u gjet i vdekur mbrëmjen e së hënës në bodrumin e ashensorit të një ndërtese, në rrugën Kamenicë Gjilan.

Në Kosova Today, ai ka theksuar se ai e kishte kërkuar vëllain e tij i cili u paraqit i zhdukur që nga janari.

”Në vendin ku është gjetur trupi i pajetë unë me një kushëri timin kam qenë për të kërkuar, kemi shikuar në lift nuk kemi parë asnjë trup dhe nuk ke ndjerë asnjë erë”, ka thënë Hamiti.

Çka dihet për rastin?

Mërgimtari nga Gjilani, Musah Hamiti, që nga data 10 janar kishte humbur kontaktet me të afërmit e tij. Të alarmuar nga kjo situatë, familjarët kishin kërkuar ndihmën e organeve të rendit, ku e kishin raportuar të zhdukur. Pak më shumë se një muaj e dy javë pas, Hamiti u gjet pa shenja jete në bodrumin e një ashensori në një ndërtesë në rrugën Gjilan – Kamenicë.

Rastin e rëndë e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale, të cilët kanë bërë me dije se me vendim të prokurorit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, teksa kanë nisur hetimet për vdekjen e tij.

Ju njoftoj se me datë 26.02.2024 rreth ores 22:37, policia e Kosovës stacioni policor në Gjilan kanë marrë një informatë se në bodrumin e një ashensori të një ndërtese në rrugën Gjilan -Kamenicë është vrejtur një person i cili dyshohet të jetë i vdekur. Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit dhe të gjitha njësitet relevante, ku me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, ka thënë zëdhënësi, Ismet Hashani.

Gazeta Sinjali javë më parë pati raportuar se në bazë të provave të mbledhura, dyshohet se bëhet fjalë për rrëmbim. E, ditën që grupi krimanl dyshohet se e kidnapoi, Musah Hamiti kishte me vete hiç më pak se 87 mijë franga zvicerane dhe qindra euro.

Në dosjen e Prokurorit të Shtetit, të cilën e ka siguruar Sinjali thuhet se më 9 janar, në orët e pasdites, dy të dyshuarat, Marinela Markoviq dhe Silvana Dulellari, bashkë me persona të tjerë, akoma të paidentifikuar me qëllim të përfitimit kundërligjshëm  pasuror, e kanë rrëmbyer tani të zhdukurin Musah Hamiti, me vendqëndrim në shtetin e Zvicrës.

“… pasi që të pandehurat, e kuptojnë se i zhdukuri  Musah, ka me vete shumën e të hollave në vlerë prej 86250 Franga zvicerane, dhe 391 €, i cili po me të njëjtën ditë është kthyer nga Hajvalia,  pas që është liruar nga Qendra e Paraburgimit në Hajvali, ku kishte qenë në vuajtje të dënimit në kohëzgjatje prej 25 ditëve, me të kthyer në Gjilan, me taxi të Kompanisë ‘’Golden Taxi’’ me datë 09.01.2024, takohet me të pandehurat e lartcekura, e pasi takimit me të njëjtat humb çdo gjurmë e tij, me ç’rast  nga kjo ditë nuk dihet për fatin e tij.”

Markoviq dhe Silvana Dulellari dyshohen se në bashkëkryerje dhe bashkëveprim e kanë kryer veprën penale “Rrëmbimi”.

Në kërkesën e Prokurorisë dorëzuar në gjykatë thuhet se pas vlerësimit të fakteve të paraqitura në kallëzimin penal “konsiderohet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurat e kanë kryer veprën penale, e cila u vihet në ngarkesë.”

Dyshimin e bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën  penale e cila u vihet në ngarkesë e arsyetojnë provat materiale të cilat i janë bashkangjitur kallëzimit penal, raporti hetimor, deklaratat e së paku shtatë dëshmitarëve dhe fotografi e dëshmi të tjera.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të ngajshme

Osmani e ka përgëzuar USAID’in për miqësinë e palëkundur për Kosovën

KushtrimGuraj

Shkurte Fejza dhe Shaqir Cërvadiku publikojnë këngën “O Flamur”

Erzana Fazliu

Të shtënat me armë në Prishtinë: Identifikohen dy të dyshuar, njëri arrestohet

Erzana Fazliu