Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dënim të përjetshëm Jeton dhe Nexhat Vllasaliun, të akuzuarit për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.
Vëllai i Bedri Rexhepit ka folur në Kosova Live të T7 pasi sot gjykata ka dënuar me burg të përjetshëm dy persona për vrasjen e Bedri Rexhepit.
Ai ka thënë se ka qenë vendim i duhur dhe se e kanë pritur.
“Ka qenë vendim i duhur dhe e kemi pritë. Mirë që drejtësia e dha vendimin e vet ashtu si duhet”, ka thënë ai.
Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu, më 08.04.2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij. Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.
Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë, Janjevë. Pastaj, i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.
Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale. Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë, si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.