Ministria e Arsimit sapo ka marrë vendim që tekstet shkollore për nxënësit t’i blejnë prindërit. Siç njoftoi ministrja Arbërie Nagavci, nga nesër prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.
Ish-ministri i Arsimit, dhe deputeti I LDK-së, Agim Veliu në një prononcim pë e ka vlerësuar si skandaloz dhe në kundërshtim me ligjin, vendimin e Nagavcit.
“Ai është vendim skandaloz dhe në kundërshtim me ligjin dhe me të gjitha normat tjera çfarëdo qofshin ato. Në momentin e fundit, një javë para se me fillu viti shkollor, prindërit dhe familjet vendosen në një pozicion shumë të pafavorshëm sa që këta veç mbrapsht që punojnë, dijnë me bë këso gjërash”, ka thënë ndër të tjera Veliu.
Edhe ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami nga LDK ka reaguar duke thënë se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar të sigurojë librat për nxënësit siç e ka obligim ligjor.
“Kërkoj mendimin tuaj lidhur me nismën e Qeverisë që barrën e blerjes së librave t’ua lë prindërve e jo siç është e rregulluar me Ligj që Ministria e Arsimit t’i sigurojë librat për nxënësit. Përgjigjet tuaja do t’i adresoj në seancën e parë të Parlamentit të Kosovës. Në emër tuajin, në foltoren e Parlamentit do të kërkoj llogari nga Kryeministri Kurti si kryepërgjegjës dhe nga ministrja Nagavci si përgjegjëse për këtë dështim”, thotë ajo.