Transfertat bankare po zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt kanaleve elektronike.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga rreth 3.8 milion transferta kreditimi (pagesa) të kryera nga klientët e sektorit bankar për tremujorin e dytë 2024, gati 61% e tyre ose rreth 2.3 milion veprime në total u kryen në formë jo-letër.
Transfertat në formë jo-letër përfshijnë transferta që kryhen pa praninë fizike të klientit në bankë, kryesisht nëpërmjet shërbimeve të internet banking dhe mobile banking.
Për të gjithë 6-mujorin 2024, pesha e veprimeve nga kanalet elektronike është rritur në 59% të totalit, ndërsa gjysmën e parë të vitit të kaluar ato përbënin rreth 56% të numrit të përgjithshëm të transfertave bankare.
Transfertat elektronike po fitojnë më shumë peshë edhe të matura në vlerë
Rreth 39% e vlerës së përgjithshme të transfertave për 6-mujorin 2024 u krye nëpërmjet veprimeve të distancë, nga 34% e që kishte qenë pesha e tyre në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në fund të vitit 2023, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në në pothuajse 1.1 milion, në rritje vjetore me pothuajse 25%. Vlerësohet se tashmë 34% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 28.2% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2022.
Më shumë se 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. Megjithatë, rritja më e madhe e llogarive të lidhura me internet vitin e kaluar u shënua në segmentin e bizneseve, me 25% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Përdorimi i kanaleve online kursen kohë dhe është një zhvillim i rëndësishëm për shmangien e radhëve të klientëve në sportelet e bankave, duke i shfrytëzuar këto sportele vetëm për marrjen e atyre shërbimeve dhe produkteve ku prania fizike është vërtet e domosdoshme.
Aktualisht, të gjitha bankat tregtare në Shqipëri e ofrojnë shërbimet e bankingut në distancë. Kjo nënkupton se çdo klient i sektorit bankar ka në dispozicion një kanal alternativ për kryerjen e pagesave dhe marrjen e shërbimeve të tjera, pa qenë nevoja për shkuar domosdoshmërisht në degë.
Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga incentivat tarifore të aplikuara me nismën e Bankës së Shqipërisë. Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision.
Ndërkohë, për shumat më të mëdha transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave. E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jetë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave.