Më 2023, shefja e shtetit, Vjosa Osmani-Sadriu së bashku me stafin e saj për biletat e udhëtimeve jashtë vendit kanë shpenzuar: 108 mijë e 717 euro e 07 cent. Gazeta Sinjali sjell edhe harxhimet që Zyra e Presidentes i ka pasur për akomodim jashtë vendit, për drekat dhe darkat zyrtare si dhe për derivate.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, udhëtimin e fundit siç duket për këtë vit, së paku zyrtar – e ka pasur në Belgjikë, konkretisht në Bruksel.
Atje e para e shtetit ka marrë pjesë në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ku edhe është takuar më zyrtarë të lartë nga Evropa dhe jo vetëm.
Në këtë udhëtim ajo ka shkuar me biletë të klasit ekonomik, ashtu siç ka vepruar gjatë gjithë vitit për krejt fluturimet zyrtare që ka pasur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në shtetet e afërta të rajonit.
Të gjitha biletat për udhëtimet zyrtare që Osmani-Sadriu ka pasur jashtë vendit – gjatë 2023-ës – i kanë kushtuar saktësisht 22 mijë e 363 euro e 53 cent.
Kështu së paku tregojnë të dhënat zyrtare të shpenzimeve të lejuara nga Zyra e Presidentes pas kërkesës për qasje në dokumente publike.
Sipas tyre, më 2023, shefja e shtetit së bashku me stafin e saj për biletat e udhëtimeve kanë shpenzuar 108 mijë e 717 euro e 07 cent.
Para këto nga buxheti i shtetit, që më poshtë i gjeni të detajuara për secilin nga anëtarët e kabinetit të presidentes Vjosa Osmani-Sadriu:
Blerim Vela: 11.094.97
Learta Hollaj: 16.872.48
Vehbi Miftari: 2.830.54
Egnesa Vitia: 8.786.77
Bekim Kupina: 3.307.80
Rinor Nuhiu: 11.704.20
Dora Musa: 3.453.81
Rejhane Vuniqi: 4.986.07
Donika Kadaj-Bujupi: 2.480.44
Artan Hoxhaj: 1.155.53
Florim Begu: 293.17
Narcis Drevinja: 6.503
Petrit Hoti: 719.87
Donjeta Miftari: 6.396.87
Yll Sadiku: 1.029.39
Vesa Bujupaj: 1.908.50
Sa harxhuan Osmani dhe stafi për akomodim, dreka/darka dhe derivate?
Sakëtësisht 93 mijë e 697 euro e 17 cent i kanë harxhuar gjatë vitit 2023, prsidentja Osmani dhe stafi i saj për t’u akomoduar në udhëtimet që kanë pasur jashtë vendit.
Nga kjo shumë, vetëm Osmani për akomodim i ka shpenzuar 19 mijë e 008 euro e 67 cent nga buxheti i shtetit.
Kështu zbulojnë të dhënat e siguara përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.
Sipas tyre, ish-shefi i kabinetiti të Osmani-Sadriut, Blerim Vela, ka harxhuar për akomodim rreth 9 mijë e 200 euro.
Derisa zëvendësshefja e të fundit, Learta Hollaj, për akomodim në udhëtimet që ka pasur jashtë vendit ka shpenzuar 12 mijë e 843 euro.
Pjesa tjetër e stafit kanë shpenzuar më pak për akomodim nga 8 mijë euro deri në rreth 200 euro që ishte shumë më e ulët e paguar për fjetje jashtë vendit.
Derisa për dreka dhe darka zyrtare ajo bashkë me kabinet kanë shpenzuar 26 mijë e 251 euro e 20 cent.
Zyra e Presidentes sqaron se “Presidentja nuk ka shpenzime vetëm të sajat për dreka dhe darka zyrtare, sepse të gjitha drekat dhe darkat janë të institucionit – pra marrin pjesë një numër i zyrtarëve institucionalë, anëtarë të kabinetit dhe të ftuar të shteteve tjera”.
Ndërsa për derivate gjatë këtij viti kalendarik janë shpenzuar 15 mijë e 516 euro e 40 cent.
Këto derivate i kanë djegur shtatë vetura që i përkasin Presidencës, 3 prej tyre janë pjesë e eskortës së Osmani-Sadriut dhe katër nga to i shfrytëzojnë anëtarët e kabinetit.