Viti i Ri la dhjetëra kosovarë të lënduar, mes tyre edhe fëmijë që humbën gjymtyrë
Viti i Ri festohet në mbarë vendin, por për shumë kosovarë, gëzimi i ndërrimit të motmoteve shpesh shndërrohet në lëndime dhe vuajtje.
Forma se si dhjetëra qytetarë festuan natën e Vitit të Ri i detyroi ata të kërkojnë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Vetëm gjatë asaj nate, 55 qytetarë u paraqitën në QKUK për shkak të lëndimeve të shkaktuara nga mjetet piroteknike shpërthyese, raporton Kiks Kosova.
Ndërsa dy të tjerë pësuan lëndime edhe nga përdorimi i armëve të zjarrit. Shumica e të lënduarve pësuan dëmtime në duar, sy dhe pjesë të tjera të trupit, lëndime që në disa raste çuan në ndërhyrje kirurgjike dhe trajtim të mëtejmë mjekësor.
Shqetësuese mbetet edhe fakti se një pjesë e madhe e të lënduarve ishin mosha të reja, duke filluar nga 10 vjeç e tutje. Kjo situatë alarmante nxiti edhe apelin e mjekëve kujdestarë në QKUK, të cilët kërkuan ndalimin e përdorimit të fishekzjarrëve.
Statistikat tregojnë se, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, vetëdijesimi i qytetarëve nuk po rritet nga viti në vit.
Përkundrazi, numri i të lënduarve këtë vit është dukshëm më i lartë krahasuar me vitet paraprake.
Në natën e ndërrimit të motmoteve më 1 janar 2025, nga mjetet piroteknike u lënduan 24 persona, ndërsa në vitin 2024 ishin 21 raste, dhe në vitin 2023 u raportuan 25 të lënduar – të gjitha të trajtuara në QKUK.
Nga këto raste, një person kishte gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërsa disa të tjerë pësuan lëndime serioze në sy dhe pjesë të tjera të trupit.
Përdorimi i paautorizuar dhe i pakontrolluar i mjeteve piroteknike në festa, ndër vite, ka rezultuar edhe me raste fatale, ku qytetarë kanë humbur jetën.
Pamjet e publikuara ndër vite dëshmojnë raste të rënda, ku qytetarët kanë humbur gjymtyrë të trupit, pasi fishekzjarrët kanë shpërthyer në duart e tyre, ose janë lënduar rëndë në mënyra të ndryshme. /Klankosova.tv

