Telenews

Vlerësimi i rreziqeve të korrupsionit, APK adreson 26 rekomandime

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), gjatë periudhës gjashtëmujore, respektivisht janar-qershor 2026, ka shënuar hapa konkretë në konsolidimin  e llogaridhënies në Kosovë, duke avancuar mekanizmat parandalues dhe integritetin publik sipas standardeve të BE-së.

APK njofton se janë zhvilluar një sërë aktivitetesh në fushën e vlerësimit të korrupsionit në legjislacion dhe vlerësimit të rrezikut të korrupsionit në sektorë dhe fusha të ndryshme.

Në kuadër të vlerësimit të korrupsionit në legjislacion, APK ka zhvilluar katër takime informuese me institucionet publike lidhur me programet dhe planet e tyre legjislative për vitin 2026.

Gjatë kësaj periudhe janë vlerësuar 3 projekt/akte normative, prej të cilave 1 projektakt ligjor dhe 2 akte nënligjore, për të cilat janë dhënë gjithsej 26 rekomandime. Nga këto, 10 rekomandime tashmë janë adresuar, ndërsa rekomandimet e tjera janë në proces të vlerësimit.

Në këto vlerësime janë identifikuar faktorë të ndryshëm të rrezikut të korrupsionit, përfshirë paqartësitë dhe dykuptimësitë që lidhen me harmonizimin dhe zbrazëtirat ligjore, si dhe mungesën e mekanizmave të mjaftueshëm parandalues, përfshirë diskrecionin e tepruar dhe procedurat apo hapat e papërcaktuar qartë.

Në fushën e vlerësimit të rrezikut të korrupsionit, në partneritet me UNDP-në është hartuar dhe aprovuar metodologjia e re për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit.

“Po ashtu, është lansuar procesi për Vlerësimin e Rrezikut të Korrupsionit në Prokurimin Publik, për të cilin është themeluar një grup punues prej 25 anëtarësh, me përfaqësues nga institucione të ndryshme, ndërmarrje publike, niveli komunal dhe shoqëria civile. Deri më tani janë zhvilluar 3 takime të grupit punues. Mbështetja e institucioneve për vlerësimin e rrezikut dhe zbatimin e masave kundër rrezikut të korrupsionit Me mbështetjen e Këshillit të Evropës/Projektit kundër Krimit Ekonomik (PECK III), APK ka organizuar një aktivitet katërditor me pjesëmarrjen e 30 përfaqësuesve nga institucionet administrative dhe ndërmarrjet publike. Aktiviteti ka pasur për qëllim ofrimin e mbështetjes për zbatimin e gjetjeve të vlerësimit të rrezikut të korrupsionit, hartimin e masave të përshtatshme zbutëse dhe monitorimin e efektivitetit të tyre”, thuhet në komunikatën e APK-së.

Në koordinim dhe bashkëpunim me Iniciativën Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), është organizuar një trajnim kombëtar katërditor për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit dhe vlerësimin e korrupsionit në legjislacion, me fokus në sektorët e sigurisë dhe mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.

Në këtë trajnim kanë marrë pjesë 54 përfaqësues nga institucionet përkatëse dhe shoqëria civile.

Gjatë periudhës raportuese, APK ka përfunduar procesin e vetëvlerësimit të mekanizmave të sinjalizimit dhe deklarimit të pasurisë, ndërsa është në proces të finalizimit të vetëvlerësimit për konfliktin e interesit dhe politikat kundër korrupsionit.

Këto procese janë zhvilluar në përputhje me udhëzuesin e Rrjetit Kundër Korrupsionit të OECD-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (ACN), në kuadër të Planit të Veprimit Kundër Korrupsionit të Stambollit, Raundi i 5-të i Monitorimit.

“Përmes këtyre aktiviteteve, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit synon të forcojë qasjen parandaluese ndaj korrupsionit, duke kontribuar në identifikimin në kohë të rreziqeve, përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional, si dhe në hartimin dhe zbatimin e masave konkrete për menaxhimin dhe zvogëlimin e këtyre rreziqeve. Agjencia mbetet e përkushtuar në fuqizimin e mekanizmave parandalues dhe në mbështetjen e institucioneve publike për ndërtimin e një sistemi më efektiv të integritetit, transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në komunikatën e APK-së.

Të ngajshme

Gjenden eshtrat e 23 individëve në Zubin Potok

Yllka Gashi

Aksident i rëndë në Istog, tre persona të lënduar

Yllka Gashi

KRU Prishtina paralajmëron ndërhyrje urgjente pas dëmtimit të gypit në rrugën “Toni Bler”

Yllka Gashi