Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka folur për raportin e saj për Kosovën që është miratuar sot në këtë institucion.
Ajo, në një konferencë për media, ka theksuar se këtë mund ta quajnë si një raport shumë të fuqishëm dhe gjithpërfshirës. Sipas saj, ata i kanë përfshirë të gjitha pikat në të që kanë një rëndësi themelore. Von Cramon ka thënë se në raport e kanë përfshirë edhe aspektin e aplikimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës.
“E kemi përfshirë edhe mbështetjen e plotë të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sidoqoftë, ne e kemi bërë të qartë dallimin mes aplikimit për në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës. Për aplikimin në BE, thamë se nuk është koha e duhur duke pasur parasysh çështjen e mosnjohjeve”, ka thënë Von Cramon.
Ajo ka thënë se këtë e ka potencuar edhe sa ishte në Kosovë për vizitë. Tutje, ka shtuar se e përkrahin punën e Miroslav Lajçak, sa i përket dialogut me Serbinë.
Von Cramon ka deklaruar se duhet të liberalizohen vizat. Sipas saj Komisioni Evropian e ka kryer pjesën që i takon dhe se çështja ka mbetur në dorën e vendeve anëtare.

