Diaspora do të votojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke u bërë kështu një faktor i rëndësishëm në përzgjedhjen e fituesit që do të qeverisë vendin për katër vitet e ardhshme. Arsyeja pse kryeministri ka nisur tashmë turin e disporës, siç do të bëjnë me shumë gjasë edhe partitë e tjera me afrimin e datës së zgjedhjeve.
Por, përtej zgjedhjeve, diaspora është e rëndësishme për Shqipërinë në aspektin ekonomik.
Të dhënat e fundit të censit 2023 treguan se nga vendi janë larguar në dhjetë vitet e fundit mbi 420 mijë shqiptarë, ndërkohë që numri i atyre që kanë emigruar është disa fish më i lartë nëse shohim periudhat më të hershme. Një emigracion i pandalshëm që ka bërë që një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare sot të jetojë jashtë kufijve, e përqendruar kryesisht në Evropë, por edhe më larg, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.
Të gjithë këta emigrantë shqiptarë, të pasuar edhe nga të tjerë të larguar rishtazi vitet e fundit, kanë mbajtur gjallë fluksin e dërgesave valutore në atdhe, ato që ndryshe njihen si remitancat. Një burim i rëndësishëm për mijëra familje në vend, por edhe për financimin e ekonomisë. Por, sa para kanë sjellë emigrantët shqiptarë në atdhe?
Vitin e kaluar, dërgesat e emigrantëve arritën rekordin e 929 milionë eurove. Këto flukse valutore janë përshpejtuar veçanërisht në katër vitet e fundit, që tregon për aktivizimin intensiv të emigrimit dhe faktit që janë emigrantët e rinj ata që po dërgojnë para në atdhe. Ritmet e remitancave kanë qenë të larta edhe këtë vit, duke kapërcyer në fund të 6-mujorit të parë vlerën e 510 milionë euro, çka sinjalizon që në fund të 2024-ës do të kemi një rekord të ri të këtij treguesi.
Në një vlerësim të bërë pak kohë më parë, Banka Botërore konstatoi se familjet shqiptare marrin nga të afërmit emigrant mesatarisht 2 mijë euro në vit dhe përfituese e këtyre parave janë rreth 174 mijë familje shqiptare ose 23% e totalit.
Këto para shërbejnë kryesisht si ndihmë për të afërmit e emigrantëve në përballimin e nevojave të përditshme dhe ndikimi ndihet tek konsumi.
Ndërkohë që një pjesë e kësaj valute shkon për hapjen e bizneseve të vogla dhe blerjen e pasurive të patundshme, kryesisht në zonat bregdetare, ose në qytetet e mëdha, si Tirana. Vetëm një pjesë e vogël e këtyre parave mbyllen në banka në formën e depozitave. Por, ndërsa në pamje të parë, flukset e larta të remitancave janë një lajm i mirë për ekonomikë dhe përfituesit e këtyre parave, ato kanë edhe një aspekt negativ, që është dekurajimi i punësimit. Pasi një pjesë e atyre që marrin para nga emigrantët, nuk kanë nxitjen të punojnë, pasi mbështeten tek këto të ardhura për të jetuar.
Por, emigrimi nuk është një dukuri tipike dhe vetëm shqiptare. I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është karaketrizuar në vite nga largimet e qytetarëve drejt vendeve më të zhvilluara dhe të gjitha vendet kanë qenë pritëse të remitancave.
Vendi që ka nivelin më të lartë të këtyre prurjeve valutore dhe rrjedhimisht edhe varësinë më të madhe është Kosova me 17,2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pasuar nga Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina. Shqipëria renditet e katërta në rajon me remitanca në vlerën e 9,2% të PBB-së, duke lënë pas Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, vende që e kanë këtë tregues më të ulët.
Por, ndikimi i diasporës në ekonominë shqiptare nuk kufizohet vetëm me sjelljen e remitancave, por është shumë më i gjerë.
Emigrantët shqiptarë, kryesisht ata të pas viteve ’90, mbeten një potencial i madh për investime, duke pasur parasysh nivelin e lartë të ekspertizës dhe eksperiencën që kanë fituar në vendet ku punojnë dhe jetojnë prej vitesh. Gjithashtu, shqiptarët e diasporës kanë një rrjet të madh bashkëpunëtorësh, atë që ndryshe njihet si “netëork” dhe që është shumë i rëndësishëm në ekonomi, pasi bën të mundur sjelljen në Shqipëri të investitorëve të tjerë.
Cilët janë sektorët që diaspora ka më shumë interes për të investuar?
Rezultojnë disa degë të ekonomisë, ku interesi është më i shtuar dhe ato janë: energjia; teknologjia e informacionit; turizmi dhe shërbimet financiare.
Por, shqiptarët e diasporës hasin vështirësi për të investuar në Shqipëri, ashtu si edhe një pjesë e investitorëve të tjerë. Barriera që kanë të bëjnë kryesisht me konkurrencën e pandershme, korrupsionin, ndryshimet e shpeshta fiskale dhe mungesën e orientimit të investimeve.
Kushte më të mira të të bërit biznes, por edhe lehtësi të ndryshme do të nxisnin investitorët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit që ta shohin Shquipërinë, përveçse si atdheun e tyre, edhe si tregun potencial për investime dhe fitime.
Në ekonomi, paraja nuk ka ngjyrë dhe as nacionalitet. Kjo do të thotë se pavarësisht atdhedashurisë, një investitor tërhiqet nga fitimi kur zgjedh një treg të caktuar. ֔Çfarë masash duhet të marrë Shqipëria për t’u bërë një vend potencialisht i tillë?
Masat nxitëse për thithjen e investimeve të huaja dhe atyre të diasporës nevojiten, edhe në kuadër të konkurrencës së ashpër që ekziston mes vendeve të rajonit për këtë fluks kapitlesh.
Diaspora është e gatshme të investojë, gjithmonë ka qenë. Përtej zgjedhjeve dhe votave që sot i duhen politikës, ekonomisë dhe shqiptarëve u duhet një vazhdimësi që shkon përtej një mandati dhe një qeverie. Ka të bëjë me klimën e të ndjerit i pranuar dhe i dëshiruar në vendin tënd e kjo jo me teorikë, por me prova. Sot është koha që qeveria dhe politika të japin prova.