Në seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Tush Frokaj, dëshmitari Arlind Tanushaj deklaroi se i akuzuari kishte hyrë në veturën e tij me armë në dorë, duke e detyruar të kthehej për në fshatin Zllakuqan.
Këtë deklaratë dëshmitari e dha në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Pejë një ditë pasi dhanë dëshmi gruaja dhe vajza e të ndjerit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tush Frokaj, po akuzohet se më 7 gusht 2023, e ka vrarë dhëndrin e tij, A.P., në Klinë si dhe ka vënë në rrezik jetën e personave të tjerë.
Dëshmitari Tanushaj tha se, në ditën kritike, ishte duke udhëtuar me veturën e tij “Golf 6” drejt Klinës. Para se të arrinte rrethin e Klinës, në një kolonë prej rreth 100 metrash, një person i panjohur kishte hyrë në veturën e tij.
Dëshmitari tregoi se një person i panjohur kishte hyrë në veturën e tij nga ana e pasagjerit dhe, nën kërcënimin e armës, e kishte detyruar të kthejë automjetin menjëherë.
Ai tha se kishte kthyer automjetin në drejtim të fshatit Zllakuqan, ndërkohë që kishte ndjerë frikë të madhe.
Sipas tij, pak para shinave të trenit, rreth 100 metra larg, një grua kishte kaluar para veturës dhe ai kishte frenuar papritur, kishte dalë nga vetura dhe ishte larguar.
Ai shtoi se, pasi doli nga vetura, i akuzuari kaloi nga ana e pasagjerit në atë të shoferit dhe vazhdoi drejt Zllakuqanit.
Tanushaj tregoi se më pas kontaktoi policinë dhe babanë e tij. Rastësisht, tek hekurudha takoi një taksi dhe u nis drejt Zllakuqanit.
Dëshmitari tregoi se kur kishte arritur në Zllakuqan, babai i tij kishte mbërritur pak më herët dhe kishte parë veturën e tij duke u kthyer në drejtim të fshatit Kosh. Ai shtoi se ishte ngjitur në veturën e babait dhe së bashku kishin vazhduar për në Kosh, ku kishte shkuar vetura.
Sipas Tanushajt, në fshatin Kosh e kishte parë veturën e tij në oborrin e të akuzuarit, Tush Frokaj.
Dëshmitari përshkroi se e kishin kaluar shtëpinë e Tushit pa u ndalur dhe kishin lajmëruar policinë. Ai tha se babai i tij, përmes telefonit të tij, i kishte treguar policisë se vetura e tij gjendej në oborrin e babait.
Tanushaj shtoi se babai i tij e kishte njohur shtëpinë e të akuzuarit, pasi ishin njohur më herët.
Ai përshkroi sjelljen e të akuzuarit si të pakontrolluar dhe të emocionuar.
Lidhur me armën, Tanushaj tha se ishte një pistoletë e zezë dhe shtoi se i akuzuari nuk e kishte prekur atë fizikisht, por ia kishte afruar armën shumë pranë fytyrës.
Në fund, dëshmitari propozoi tërheqjen e ndjekjes penale për veprën “Marrja në posedim e pasurisë së luajtshme” nga neni 319, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas tij është dëgjuar edhe dëshmitari Ragip Kryeziu, i cili deklaroi se nuk i njihte asnjërin nga palët e përfshira.
Ai tha se ditën kritike ishte duke ecur dhe pastruar ambientin, duke mbajtur një biçikletë në dorë. Ndërsa kalonte pranë kafenesë “Coyota”, dëshmoi se kishte dëgjuar të shtëna armësh dhe një nga plumbat kishte goditur një rrotë të biçikletës së tij.
Dëshmitari Kryeziu përshkroi se krismat ishin dëgjuar papritur dhe se nuk mund të ishte i sigurt për numrin e tyre, duke thënë se mund të kishin qenë 5, 6, 7 ose 8, por nuk e mbante mend. Ai shtoi se më pas kishte vërejtur se biçikleta e tij ishte dëmtuar, pasi teli i bandashit ishte këputur.
Më tej, ai shtoi se vlera e biçikletës nuk kishte asnjë rëndësi për të në atë moment, pasi frika kishte qenë e madhe. Ai ndjehej i rrezikuar, sepse ishte i vetmi duke lëvizur në atë zonë gjatë asaj kohe.
Pas përfundimit të dëshmive të dy dëshmitarëve, seanca u shty për datën 12 shkurt 2025.
Sipas aktakuzës së ngritur më 12 mars 2024 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Tush Frokaj, po akuzohet se më 7 gusht 2023, ka privuar nga jeta dhëndrin e tij, A.P., si dhe vuri në rrezik jetën e personave të tjerë dhe atë të dëmtuarit F.Rr. Frokaj po ngarkohet se ka shtënë shtatë herë me revole në drejtim të A.P., duke e lënë në vend të vdekur.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 të Kodit Penal.