Ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vehbi Mujku, ka thënë se Qendrat për Punë Sociale është vendi ku bashkëshortët shfryjnë mllefin e tyre, pasi nuk mund të pajtohen me faktin se “nuk kanë mundësi ta shohin fëmijën sa herë dëshirojnë”.
Kështu Mujku ka deklaruar në “FIVE” të Dukagjinit, pas rastit së vrasjes së një gruaje në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.
I dyshuari – tashmë i arrestuar – është ish-bashkëshorti i 21-vjeçares që mbeti e vrarë. I dyshuari ka plagosur edhe vëllaun e viktimës.
“Kjo çka po ndodhë në qendra për punë sociale, është diçka e pritu. E kamë përmend edhe shumë herë tjera, se QPS-ja është një institucion ku është mundësi më e mirë të ndodhin këto raste. Pse? Pikërisht për shkak se QPS i vuan pasojat e vendimeve të gjykatave, vendimeve që ose nuk janë të precizuara saktë ose lënë të kuptohet pak më ndryshe nga vetë palët.
Bashkëshortët nuk pajtohen me faktin se fëmija e tyre më nuk më në birësim. Nuk kanë mundësi më ta shohin sa herë dëshirojnë, pasi në shumicën e rasteve kët takime lihen një herë apo dy javë herë në jave nga nja orë në Qendrën për Punë Sociale. Dhe gjithë ai mllef është të shfryjnë pikërisht në QPS, një institucion i cili jashtëzakonisht i pambrojtur, i pa vlerësuar. Një institucion i cili përballet çdo ditë me rreziqe të ndryshe prandaj kjo që ka ndodhë sot e që mund të ndodhin edhe në raste në të ardhmen është një sinjal ose alarm për të gjithë institucionet prej Ministrisë së Drejtësi, prej Komunave që të punojnë me QPS që të parandalohen këto raste”, ka thënë Mujku.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se gruaja e vrarë të premten pasdite në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj nga ish-bashkëshorti i saj ishte 21-vjeçare me inicialet E.C.
Policia më tej ka konfirmuar se i dyshuari me inicialet V.A është 36-vjeçar.
“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë mësuar se një person brenda Qendrës për Punë Sociale në katin I-rë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave dhe për pasoj një person E.C (F/K) e moshës 21 vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët kujdestar në vendin e ngjarjes”, ka thënë Policia.
Përveç saj, në vendin e ngjarjes është plagosur edhe 15-vjeçari D.C., i cili është jashtë rrezikut për jetë.
Ndërsa i dyshuari për vrasjen, fillimisht ishte larguar në drejtim të panjohur e më pas është arrestuar nga policia.
“Ndërsa plagë trupore ka pësuar personi D.C ( M/K) i moshës 15 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetën, kurse i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur. Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A ( M/K) i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren , në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore”, ka vijuar policia.

