Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk ka hequr dorë nga kërkesa për një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka shtuar se “po kërkohet momenti më i mirë për të, për shkak se situata aktuale tashmë është e vështirë për serbët në Kosovë”.
“Çështja është se çfarë do të fitojmë kur të kërkojmë këtë seancë, por do ta bëjmë”, ka thënë Vuçiq për televizionin në shërbim të regjimit të tij, “TV Happy”.
Ai ka pretenduar se situata reale në Kosovë “është e vështirë, sepse serbët janë të persekutuar dhe arrestuar”.
“Kemi të bëjmë me një njeri irracional që nuk dëshiron paqe, ëndrra e jetës së tij është bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës, i mungon biografia e luftës, ai do të donte të ishte si Adem Demaçi apo Enver Hoxha… Serbët po e kanë gjithmonë e më të vështirë të jetojnë, kështu që shpresoj që në dy, tre muajt e ardhshëm, ta mbajmë situatën në këtë nivel, që të mos ketë përkeqësim, sepse çdo përkeqësim nënkupton pamundësinë e mbijetesës së popullit tonë në Kosovë”, ka thënë Vuçiq, transmeton Paparaci.