Granit Xhaka i ka komunikuar klubit të tij aktual, Bayer Leverkusen, se dëshiron të transferohet te Sunderland, raporton gazetari i njohur David Ornstein për The Athletic.
Mesfushori kosovar ka arritur tashmë marrëveshje për kushtet personale me klubin e rikthyer në Ligën Premier dhe është i fokusuar vetëm te kalimi në “Stadium of Light”.
Megjithëse ende nuk ka marrëveshje mes klubeve, negociatat po vazhdojnë dhe Xhaka i ka kërkuar drejtuesve të Leverkusenit që të përshpejtojnë transferimin.
Raportimet për interesimin e Sunderlandit për Xhakën u shfaqën javën e kaluar, por në atë kohë thuhej se klube nga Arabia Saudite ishin gjithashtu në garë për të.
Gjithnjë sipas The Athletic, ofertat saudite ishin më të mëdha financiarisht, si për Leverkusenin ashtu edhe për vetë lojtarin, por dëshira e Xhakës është që të rikthehet në Ligën Premier.
Ai ka ende kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2028, çka i jep klubit gjerman një pozicion të fortë negociues për të përfituar nga shitja e tij.
Granit Xhaka kaloi shtatë sezone te Arsenali nga viti 2016 deri më 2023, përpara se të kalonte te Leverkuseni, ku fitoi titullin e Bundesligës sezonin e kaluar. Një rikthim në Angli do të ishte befasues, por i mirëpritur nga shumë tifozë.