Falë raportimeve të reja nga Roland Quandt nga media gjermane WinFuture, janë zbuluar disa prej specifikave të gjeneratës së ardhshme të telefonave të palosshëm të Samsungut.
Sipas materialeve promovuese zyrtare, Galaxy Z Fold 7 do të jetë modeli më i hollë deri më tani – me trashësi prej vetëm 8.9 mm kur është i palosur dhe 4.2 mm kur hapet. Përveç kësaj, ai pritet të jetë edhe më i lehti i kësaj linje, me peshë vetëm 216 gramë, raportoi Engadget.
Quandt ka zbuluar gjithashtu detaje për madhësinë e baterisë, konfigurimet e memories dhe kamerat për modelet Z Flip 7dhe Flip 7 FE, të cilat përputhen me pritshmëritë aktuale për këtë seri të re.
Një nga risitë më të theksuara është ekrani i jashtëm i Flip 7, që do të jetë 4.1 inç – përmirësim i dukshëm nga ekrani 3.4 inç i Flip 6. Po ashtu, modeli i ri thuhet se do të jetë 70% më i hollë dhe me bateri më të madhe.
Në dokumentet e publikuara nuk përmendet modeli Galaxy Z Fold Ultra, ndonëse ky u përfol nga Samsung në qershor. Kompania, në një deklaratë për media, kishte lënë të kuptohet për një pajisje të re me integrim të thelluar të inteligjencës artificiale në pajisjet Galaxy.