Presidenti amerikan Donald Trump zbuloi përmbajtjen e letrës që presidenti i deritanishëm Joe Biden i la pas largimit nga Zyra Ovale në fillim të kësaj jave.
Letra, të cilën Trump e gjeti brenda tavolinës në Zyrën Ovale me pak ndihmë nga korrespondenti i Shtëpisë së Bardhë i Fox News, Peter Doocy, i drejtohet “I dashur President Trump” dhe shkruante si më poshtë:
“Ndërsa largohem nga kjo zyrë e shenjtë, uroj për ju dhe familjen tuaj të gjitha më të mirat në katër vitet e ardhshme. Populli amerikan – dhe njerëzit në mbarë botën – shikojnë nga kjo shtëpi për qëndrueshmëri në stuhitë e pashmangshme të historisë dhe lutja ime është se në vitet e ardhshme do të jetë një kohë prosperiteti, paqeje dhe mirësie për kombin tonë”.
“Zoti ju bekoftë dhe ju udhëzoftë ashtu siç e ka bekuar dhe udhëzuar vendin tonë të dashur që nga themelimi ynë”.
Letra ishte e nënshkruar nga “Joe Biden” dhe mbante datën 20 janar 2025, përcjell Telegrafi.
Të hënën, Trump e gjeti letrën – një zarf të bardhë – pasi Doocy e pyeti nëse Biden i kishte lënë një letër ndërsa presidenti i ardhshëm nënshkroi një mori urdhrash ekzekutivë në Zyrën Ovale përpara një grumbulli gazetarësh.
Ndërkohë të martën, Trump iu përgjigj pyetjeve të mëtejshme nga Doocy në lidhje me përmbajtjen e letrës.
“Ishte një letër shumë e bukur”, u tha Trump gazetarëve. “Ishte paksa një letër e tipit frymëzues…”. “E vlerësova letrën”.
Tradita presidenciale për t’i lënë një letër pasardhësit të tyre filloi në vitin 1989 kur presidenti Ronald Reagan u largua nga Shtëpia e Bardhë pas dy mandatesh në detyrë, me ish-presidentin George H. W. Bush që mori postin.
Tradita ka vazhduar deri më sot përmes presidentëve Bill Clinton, George W. Bush, Barack Obama, Trump dhe Biden.