Astronomët kanë zbuluar një objekt të ri qiellor të çuditshëm në galaktikën e Rrugës së Qumështit – galaktika ku ndodhet edhe planeti Tokë – që po habit komunitetin shkencor për shkak të sinjaleve të tij të rregullta.
Një ekip ndërkombëtar raportoi se objekti misterioz, i quajtur ASKAP J1832−091, lëshon njëkohësisht rreze X dhe valë radio çdo 44 minuta gjatë periudhave të aktivitetit ekstrem. Ky ritëm i pazakontë i emetimit e bën atë të dallueshëm nga çfarëdo tjetër që është vëzhguar më parë.
Objekti ndodhet rreth 15,000 vite dritë larg Tokës, në një rajon të pasur me yje, gaz dhe pluhur në Rrugën e Qumështit. Sipas Ziteng Andy Wang nga Universiteti Curtin në Australi, ai mund të jetë një yll neutron shumë i magnetizuar ose një “xhuxh i bardhë” – të dy këto janë forma të yjeve të vdekur. Por Wang nuk përjashton mundësinë që të kemi të bëjmë me një fenomen krejtësisht të ri dhe “ekzotik”.
Zbulimi i rrezeve X u bë rastësisht vitin e kaluar nga Observatori i Rrezeve X Chandra i NASA-s, teksa ai po studionte mbetjet e një supernove – një yll i shpërthyer. Deri tani nuk është e qartë nëse ky objekt është i lidhur me supernovën apo thjesht ndodhet afër saj në hapësirë.
Faza aktive e objektit zgjat rreth një muaj, dhe jashtë kësaj periudhe, ai nuk transmeton rreze X të dallueshme.
“Ose po përballemi me një objekt të panjohur më parë, ose po shohim një version të ri të një objekti që e njohim, por që po sillet në mënyrë krejt të pazakontë,” tha Wang, autori kryesor i studimit të publikuar në revistën Nature.
Chandra, i nisur në orbitë në vitin 1999, mbetet një prej instrumenteve kryesore të NASA-s për studimin e objekteve më të nxehta dhe më energjike në univers, dhe ky zbulim i fundit konfirmon sërish rëndësinë e tij në eksplorimin e thellësive të hapësirës.
