Në një adresim të së mërkurës mbrëma, ai foli edhe për vizitën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Amerikës, Nancy Pelosi, në Tajvan si dhe për vdekjen e disa ushtarëve armenë dhe azerbajxhanë në përleshjet pranë rajonit të diskutueshëm të Nagorno Karabakut.
Kjo, teksa kritikoi arkitekturën e sigurisë globale se nuk funksionon, transmeton Klankosova.tv.
“Të gjitha këto situata duken të ndryshme, por ato janë të bashkuara nga një faktor: arkitektura globale e sigurisë nuk ka funksionuar”, tha Zelensky.
Në këtë kuptim, presidenti ukrainas siguroi se populli ukrainas ka bashkuar “botën e lirë jo vetëm rreth luftës së tyre për liri, por edhe rreth të kuptuarit se sa e brishtë është liria jonë”.
“Kjo brishtësi mund të mbrohet vetëm me veprim të përbashkët dhe që kjo të funksionojë në afat të gjatë, duhet të ekzistojë një arkitekturë efektive e sigurisë globale që do të sigurojë që asnjë shtet nuk mund të përdorë më terrorin kundër një shteti tjetër”, u shpreh Zelensky.
Ai tha se Rusia ka filluar të kuptojë pashmangshmërinë e njohjes si shtet terrorist.
“Pas gjithë asaj që ka bërë ushtria ruse dhe kompanitë e supozuara private ushtarake ruse, asnjë organizatë tjetër terroriste në botë nuk mund të pretendojë primatin e terrorit. Rusia është padyshim numri një në mesin e terroristëve. Dhe kjo definitivisht meriton pasoja ligjore, veçanërisht në vendimet e Shteteve të Bashkuara dhe lojtarëve të tjerë botërorë”, tha presidenti ukrainas.

