
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka folur para mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj partie, duke komentuar zhvillimet aktuale politike dhe çështjen e respektimit të Kushtetutës, raporton Ekonomia Online.
Zemaj ka thënë se 7 shtatori, si dita e Kushtetutës së Kaçanikut, duhet të shërbejë si frymëzim për të gjithë ata që punojnë për shtetin e Kosovës.
“Sot është 7 shtatori, dita e Kushtetutës e Kaçanikut edhe duhet të jetë si frymëzim edhe në ndërgjegjen politike të çdo njeriu që punon për këtë shtet sovran, e të pavarur e demokratik”, tha Zemaj.
Ai ka theksuar se, përtej debateve politike, çështja kryesore është mbrojtja e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.
“Po tash, duhet ta kuptoni qartë domethënë, krejt këto janë tema të debatit politik, por mbi të gjitha, ideja është mbrojtja e kushtetutshmërisë. Edhe e ligjshmërisë. Atë që po e thonë që Lëvizja Vetëvendosje edhe z. Kurti e ka shkelur në vazhdimësi ose s’e ka respektuar fare”, tha ai.


