Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agon Dobruna, ka deklaruar se është larguar nga një konferencë rajonale e nivelit të lartë që u mbajt në Tiranë, me arsyetimin se Kosova aty u prezantua me fusnotë.
Dobruna ka thënë se për shkak të fusnotës me referencën “Rezoluta 1244 e OKB-së”, u largua nga konferenca dhe s’e nënshkroi Deklaratën e Angazhimit, për forcim të bashkëpunimit rajonal në fushën e të drejtave të fëmijëve.
Ai ka shkruar se ishte thellësisht zhgënjyese mënyra si u trajtua Kosova, duke thënë se është e papranueshme për një shtet sovran që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese.
“Ngjarja kishte për qëllim nënshkrimin e Deklaratës së Angazhimit nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë, për të forcuar bashkëpunimin rajonal në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe për të avancuar qasjen ndaj kujdesit dhe shërbimeve gjithëpërfshirëse për fëmijët. Megjithatë, mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran, që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese. Pavarësisht kërkesës sonë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të korrigjuar këtë paraqitje, ajo u injorua, duke shkelur frymën e bashkëpunimit, respektit dhe barazisë që promovon vetë konferenca”, ka shkruar ai.
Zëvendësministri në detyrë shtoi se Kosova është realitet i pamohueshëm ndërkombëtar, e sipas tij, nuk mund të mohohet subjektiviteti shtetëror përmes një fusnote “që bie ndesh me të vërtetën dhe me miqësinë që presim nga shtetet që na qëndrojnë pranë”.
“Përdorimi i fusnotës në këtë kontekst nuk është një çështje procedurale – është një çështje e dinjitetit kombëtar, e respektit dhe e trajtimit të barabartë, veçanërisht kur organizatori është një vend mik i Republikës sonë”, ka shkruar tutje ai.