Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka shkaktuar reagime të shumta me veprimin dhe deklaratat e tij gjatë një darke të Partisë Republikane në shtetin e Ohios. Gjatë fjalimit para përkrahësve, ai ngriti gishtin e mesëm, duke bërë një koment ironik në drejtim të kundërshtarëve politikë.
“Më besoni. Ata e kanë këtë gjë në Uashington, mendoj se do të thotë që ne jemi numri 1 në Uashington. Por të gjithë njerëzit me flokë rozë po e mbajnë lart këtë tabelë dhe mendoj se do të thotë që ne jemi numri 1, apo jo? Kjo është arsyeja pse kam vendosur ta mbaj atë tabelë në Uashington”, tha Vance, ndërsa bënte gjestin kontrovers.
Kjo nuk ishte e vetmja deklaratë e fortë e zëvendëspresidentit amerikan. Ai komentoi edhe mbi sulmin ajror të SHBA-së ndaj Iranit, duke e përshkruar si një sukses të plotë, ndonëse raportet e para të inteligjencës sugjeronin që dëmet në programin bërthamor iranian ishin më të kufizuara se sa pretendohej nga administrata.
“Jo vetëm që e shkatërruam programin bërthamor të Iranit, por e bëmë pa asnjë viktimë amerikane. Kjo është ajo që ndodhi”, u shpreh Vance.
Në vijim të fjalimit të tij, ai sqaroi elementët themelorë të doktrinës së Trumpit për politikën e jashtme, të cilën tha se e mbështet plotësisht:
“Së pari, përcaktoni qartë interesin e Amerikës – në këtë rast, që Irani të mos ketë armë bërthamore. Së dyti, përpiquni ta zgjidhni problemin përmes diplomacisë agresive. Së treti, nëse kjo dështon, përdorni forcë ushtarake dërrmuese dhe tërhiquni përpara se konflikti të zgjatet.”.