Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore, e cila ka aprovuar kërkesë-padisë së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të bërë në fillim të këtij viti.
Gjykata Themelore e ka shpallur të paligjshëm vendimin e Bordit të KPM-së për zgjedhjen e Besnik Berishës në pozitën e kryetarit, vendim ky që ishte marrë në mbledhjen e 17 janarit 2025.
Sipas AGK-së, IKD kishte kërkuar gjithashtu deklarimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së KPM-së, paragraf i cili ishte shtuar po ashtu në mbledhjen e 17 janarit.
AGK-ja vlerëson se zgjedhja e Besnik Berishës është bërë në mënyrë të paligjshme dhe e cilëson këtë veprim si përpjekje të hapur për kontroll politik të Komisionit të Pavarur të Mediave nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Sipas AGK-së, vendimi i Gjykatës Themelore, i marrë sot, rikthen ligjshmërinë dhe përbën një mesazh të qartë për institucionet e pavarura që të respektojnë plotësisht ligjet në fuqi gjatë proceseve të rëndësishme të vendimmarrjes.
AGK-ja ka ritheksuar angazhimin e saj që KPM-ja të mbetet e pavarur politikisht, në mënyrë që të përmbushë rolin e saj kushtetues në monitorimin dhe rregullimin e transmetuesve televizivë dhe radiofonikë në Kosovë.

