Pagat për rreth 85 mijë zyrtarë publikë pritet të ekzekutohen të martën, një ditë me vonesë dhe në një formë të dyshimtë ligjore.
Në kuadër të manovrimeve për të gjetur në rrugëdalje për çështjen e ‘bllokimit’ të pagave të zyrtarëve publikë, ministri i Financave, Hekuran Murati e ka caktuar sot një ushtrues detyre të ri në pozitën e drejtorit të Thesarit të Shtetit.
U.D. i ri i pozitës së drejtorit të Thesarit është caktuar Xhevat Zejnullahu, raporton portali Nacionale bazuar në burime brenda qeverisë.
Me këtë lëvizje, Ministria e Financave synon t’i hapë rrugë ekzekutimit të pagave pasi që ato u bllokuan për shkak të gjendjes së kundërligjshme të ish u.d. të drejtorit të Thesarit.
Paraardhësit të Zejnullahut i kishte skaduar mandati prej 1 viti si ushtrues detyre dhe rrjedhimisht ai nuk ka autorizim të nënshkruajë vendime.
Opozita e ka paralajmëruar qeverinë që nga fundi i javës së shkuar për mundësinë e bllokimit të pagave për zyrtarët publikë si pasojë e përfundimit të mandatit të ushtruesit të detyrës në pozitën e Thesarit të Shtetit.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e akuzoi të martën ministrin Hekuran Murati për papërgjegjshmëri në kryerjen e detyrave të tij ligjore.
“Kjo sjellje është neglizhencë ndaj detyrave ligjore që ka Ministri i Financave”, tha Hoti në një shkrim të publikuar në Facebook.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj rekomandoi thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës si organi i vetëm që mund t’i japë fund vonesave të pagave.
“Çdo përpjekje tjetër, jo vetëm se është shkelje ligjore, por edhe keqpërdorim i të drejtës së patjetërsueshme që mbi 80 mijë njerëz të realizojnë të drejtën e tyre në pagë”, shkroi Haradinaj në një postim në rrjetet sociale.
E Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës i bëri thirrje ministrit Murati që të gjejë një zgjidhje ligjore në mënyrë që të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit sot.
Në komunikatë, SBASHK tha se mos ekzekutimi i pagave “do të paraqesë probleme për ata arsimtar që jetojnë vetëm me një pagë” dhe shumë më keq për ata që kanë kredi dhe këste për të paguar.

