Në Negroc, vendlindjen e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe njërit prej ish-krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqi, është ndezur “Zjarri i Lirisë”, në një aktivitet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Me rastin e ndezjes së “Zjarrit të Lirisë”, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përcjellë një mesazh në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke kërkuar drejtësi dhe lirimin e tyre.
Lladrovci ka theksuar se ndezja e zjarrit në vendlindjen e Jakup Krasniqit është një simbol i qëndresës dhe i kërkesës për drejtësi.
Postimi i plotë i tij:
Sonte, në Negroc, në fshatin e lindjes së Bacit Jakup, ky “Zjarri i Lirisë”, lë të jetë porosi se zjarri i zemrave tona për drejtësi, nuk ndalet.
Sonte e japim mesazhin nga këtu se heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe Rexha, kanë qenë, janë dhe mbesin historia jonë e gjallë, historia që flet çdo ditë, në shtetin tonë, Republikën e Kosovës.
Zjarri i lirisë nga Negroci, është zjarr që mban gjallë shpresën tonë për drejtësi dhe lirimin e heronjve tanë të luftës dhe paqes.
Lavdia e UÇK-së, është lavdi e ringjallur e frymës së Skënderbeut, pas mbi pesë shekuj, lavdia për jetë të dinjitetshme, të lirë dhe të barabartë me kombet e qytetëruara!
Zjarri i lirisë, është sonte lajm nga zemrat tona, për drejtësi, për ardhjen e heronjve tanë të luftës dhe të paqes. Ata janë të pafajshëm, ata janë vetë populli ynë krah kombeve e shteteve të lira e demokratike!
Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm!

