Telenews

Zjarri përfshiu një deponi makinash në Hajvali – Ekipet emergjente vënë situatën nën kontroll

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë sot një deponi makinash në lagjen Hajvali të Kryeqytetit. Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca njofton se menjëherë pas marrjes së informacionit, ekipet emergjente të Prishtinës, në bashkëpunim me Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve, kanë ndërhyrë në vendngjarje dhe kanë arritur të lokalizojnë flakët.

Sipas autoriteteve, falë reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit të koordinuar mes ekipeve në terren, është arritur të parandalohet përhapja e mëtejshme e zjarrit në zonat përreth, duke shmangur rrezikun për banesat dhe objektet afër.

“Deri më tani, nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi në deponi ndodheshin dhjetëra automjete dhe pjesë të ndryshme të tyre”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca.

Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit, ndërsa qytetarët që jetojnë pranë zonës së prekur janë këshilluar të shmangin qëndrimin në afërsi, për shkak të tymërave të dendur dhe rrezikut të mbetjeve të djegura që mund të jenë të rrezikshme për shëndetin.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka theksuar rëndësinë e raportimit të hershëm të incidenteve të tilla për të garantuar ndërhyrje të shpejtë dhe efektive.

Të ngajshme

Uran Ismaili: “Transporti publik do të jetë falas për të gjithë qytetarët në Prishtinë”

Valjeta Turkaj

Nga Shtatori kalimi në tunelin e Llogarasë do të jetë me pagesë, ja sa do të kushtojë

Valjeta Turkaj

Kurti ‘çele guri gojën’ për kryekuvendarin, Dimal Basha – asnjë urim akoma

Valjeta Turkaj