Kryetari i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se vendimi i këtij institucioni për daljen në treg të hapur për biznese nuk mund të shtyhet nga ana e tyre.
Dalja në treg të hapur është standard që institucionet vendore e kanë marrë si obligim ndaj Bashkimit Evropian.
“Ne kemi marrë një vendim për daljen në treg të hapur për bizneset, u kemi dhënë kohë që të përgatiten – i mirëkuptojmë – por ne nuk mund ta shtyjmë vendimin tonë më tutje, sepse ky proces ka filluar në vitin 2017. Qeveria mund të ndërhyjë duke subvencionuar tarifat, sikur ka bërë deri më tani. Ndryshe, vendimi nuk mund të shtyhet. Ne si ZRrE kemi njoftuar të gjitha palët – edhe qeverinë, edhe bizneset, edhe secilën palë që është e interesuar. Ky është realiteti.
Në vitet 2021 dhe 2022, çmimi i një megavati ka shkuar deri në 1040 euro, por bizneset tona nuk e kanë paguar asnjëherë atë çmim, sepse ka qenë i subvencionuar nga qeveria”, ka pohuar Fejzullahu.
Partitë politike kanë paralajmëruar bordin e ZRrE-së se posa të konstituohet Kuvendi, do të shkarkohen dhe do të rikthehen tarifat e vjetra.
Fejzullahu ka thënë se ky është problemi më i vogël.
“Nëse bordi i ZRrE-së është problem, nëse unë jam problem që të kthehen tarifat e vjetra, atëherë unë largohem. Por problemi nuk është këtu, dhe partitë politike e dinë këtë. Tregu ka ndryshuar, rrethanat kanë ndryshuar, obligimet ndaj BE-së duhet të realizohen. Pra, para se të bëjmë politikë, duhet të merremi me problemin – dhe problemi nuk është as bordi i ZRrE-së, e as unë”, ka shtuar Fejzullahu.
Fejzullahu u ka bërë thirrje bizneseve që të aplikojnë për të dalë në treg të hapur, përndryshe do të përballen me çmime shumë më të larta.