Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Blerina Abrazhda, tha se Kosova duhet të anëtarësohet në NATO pa kushte.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Abrazhda theksoi se Shqipëria do të mbështesë gjithmonë aspiratat euroatlantike të shtetit të Kosovës.
Sipas saj, pavarësisht zhvillimeve në veri të vendit, shtetësia dhe sovraniteti i Kosovës nuk mund të vihen në diskutim.
“Shqipëria në të gjitha nivelet e lidershipit që nga kryeministri e gjithë nivelet e tjera është përgjithmonë si suportuesi më i madh i Kosovës. E para ne suportojmë hyrjen e Kosovës në NATO dhe kjo është: patjetër që Kosova duhet të hyjë në NATO. Nuk ka dyshim për mbështetjen tonë, e cila do të vazhdojë gjithmonë e pakursyer. Nuk ka forum ndërkombëtar, ku kryeministri Rama, ministri Peleshi, gjithashtu edhe unë e gjithashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme që marrim pjesë, nuk përmendet anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe avancimi i gjithçkaje për Kosovën për hyrjen në mekanizma ndërkombëtarë”, tha zëvendësministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Blerina Abrazhda.
Ndër tjerash, Abrazhda nënvizoi se mbështetja e Shqipërisë për Kosovën nuk është thjesht vëllazërore, por mbështetje shtetërore dhe strategjike.