Një zyrtar i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë është dërguar me urgjencë në QKUK pas plagëve të rënda të marra me mjet të mprehtë, raportoi Gazeta Sinjali.
Siç raportoi Sinjali, ngjarja është evidentuar dje, kur fillimisht në Urgjencën e QKMF-së në Gjakovë është paraqitur një person i plagosur, i cili më pas është transferuar në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” për trajtim të mëtejmë. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai më pas është transportuar në QKUK.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ku ka thënë se janë të tronditur nga lajmi se zyrtari i tyre në Gjakovë është therur me thikë.
Zëdhënësi i kësaj zyre, Nikola Gaon, ka thënë se janë duke u zhvilluar hetime nga autoritetet.
“Jemi të shokuar nga ky lajm dhe i dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë. Hetimi është duke u zhvilluar dhe autoritetet po përcaktojnë faktet. Meqenëse është hetim aktiv, nuk jemi në gjendje të japim detaje të mëtejshme në këtë kohë”, ka thënë ai.
Mirëpo, për Gazetën Sinjali, drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla bëri të ditur më parë se gjendja e zyrtarit të BE-së është stabile.
Syla shtoi se i njëjti “është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare për trajtim të mëtutjeshëm”.
Në rast janë përfshirë njësitë hetimore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.
Hetimet po vazhdojnë.

