Juventusi ka përfunduar zyrtarisht transferimin e përhershëm të sulmuesit kosovar Edon Zhegrova nga Lille.
Për ta siguruar shërbimin e anësorit të lindur në vitin 1999, Bianconerët kanë paguar një shumë totale prej 20 milionë eurosh, duke mposhtur konkurrencën e Olympique Marseille.
Zhegrova ka firmosur kontratë deri në qershor 2030, duke u bërë një nga afrimet më të rëndësishme të Juventusit në këtë afat kalimtar.
Me kontratën e tij te Lille që skadonte në vitin 2026, sulmuesi kosovar u kthye në objektiv prioritar për klubin torinez gjatë dy javëve të fundit të afatiti kalimtar, pasi Atletico Madrid intensifikoi kontaktet për mesfushorin Nico González dhe Juventusi mbeti i hapur për alternativa.
Pas zgjidhjes së situatës me transferimin e argjentinasit, Juventusi u rikthye fuqishëm drejt Zhegrovës, duke arritur shpejt marrëveshje me Lille.
Në fund, Juventusi ia doli të tejkalojë ofertën e Marseille, që ndonëse e dëshironte lojtarin, nuk arriti kurrë të gjente gjuhën e përbashkët me Lille.