Situata me zjarret në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese. Sipas njoftimit të fundit nga Agjencia për Menaxhim Emergjent (AME), aktualisht janë 15 vatra aktive të zjarrit në sipërfaqe të hapura fushore dhe malore në disa komuna të vendit.
AME njofton se zjarret janë përhapur në komuna të ndryshme si Mitrovicë, Skenderaj, Ferizaj, Gjakovë, Klinë, Leposaviq, Podujevë dhe Novobërdë.
Në Komunën e Skenderajt, në fshatin Llaushë, situata është më e rënduar.
“U intervenua nga Njësia Profesionale e Zjarrfikës dhe Shpëtimit (NJPZSH) dhe Policia e Kosovës Skenderaj, deri sa me koordinimin e Agjencisë Menaxhimit Emergjent është ofruar ndihma edhe nga ajri me helikopter nga kapaciteti i KFOR-it,” thuhet në njoftim.
Agjencia ka shturar se nuk ka humbje të jetëve të njerëzve, deri sa janë evidente dëmet materiale.
AME apelon tek qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshuar në numrat emergjentë pa pagesë: 112, 193, 192 dhe të raportojnë çdo person të dyshuar për shkaktim të zjarreve.