Avokati i njohur dhe ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Halilaj, është zyrtarisht anëtari më i ri i Partisë Guxo.
Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në faqen zyrtare të kësaj partie, ku theksohet se dera e Guxo-s është gjithmonë e hapur për profesionistë, patriotë dhe njerëz me integritet që kontribuojnë për një Kosovë më të mirë dhe më të drejtë, transmeton Telenews.al
Në prezantimin zyrtar të Halilajt në Partinë Guxo, të pranishëm ishin figura të rëndësishme të partisë si ministri Faton Peci, zëvendëskryeministrja dhe kryetarja e partisë Donika Gërvalla, deputeti Haxhi Avdyli, si dhe anëtari i sapoardhur Fatos Geci – nip i ish-deputetit dhe figurës së njohur politike, Gani Geci, konkretisht djali i vëllait të tij, Halilit.
Në njoftimin zyrtar thuhet se Gazmend Halilaj është një profesionist me përvojë të gjatë në fushën e sigurisë dhe drejtësisë. Ai ka qenë pjesëtar i UÇK-së gjatë luftës, ka shërbyer për 11 vite në Policinë e Kosovës dhe prej vitit 2015 ushtron profesionin e avokatit, me theks të veçantë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përkushtim ndaj drejtësisë.
Partia Guxo e ka cilësuar Halilajn si një figurë të dalluar për integritetin, vendosmërinë dhe guximin e tij – vlera që, sipas tyre, janë thelbësore në betejën për një shtet ligjor dhe demokratik.
“Zëri i guximtarit Halilaj i nevojitet drejtësisë, e drejtësia i nevojitet Kosovës”, përmbyllet mesazhi i mirëseardhjes nga Guxo.
Ky aderim shihet si një përforcim i mëtejmë i strukturave të Partisë Guxo, sidomos në prag të zhvillimeve të ardhshme politike në vend./Telenews.al/