Edhe këpucët që duken të rehatshme mund të prishin ekuilibrin natyral të trupit. Ekspertët paralajmërojnë se këpucët e përditshme mund të jenë shkak i dhimbjeve në shpinë, ije, gjunjë dhe pjesë të tjera të trupit, gjithashtu japin këshilla për alternativa më të shëndetshme
Ndoshta nuk mendoni shumë për këpucët kur kryeni punët e përditshme kur i çoni fëmijët diku, bëni pazar apo ndaloni në farmaci. Por këpucët që zgjidhni për ato momente të zakonshme ndikojnë në shëndetin tuaj më shumë sesa mendoni.
Këpucët e papërshtatshme mund të përkeqësojë ose të shkaktojë probleme të këmbëve, siç janë deformimet e gishtave (çuklat), kallot, flluskat apo problemet me thonjtë.
“Shputat janë themeli i trupit tuaj. Këpucët e papërshtatshme, ose ato që nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme, ndikojnë në gjithë trupin, qoftë përmes lodhjes, qoftë duke krijuar disbalancë në ekuilibrin anatomik,” shpjegon podiatri Miguel Cunha, pronar i Gotham Footcare.
Të kuptuarit e arsyeve që qëndrojnë pas këtyre ndryshimeve është hapi i parë për të parandaluar dhimbjet që mund të përhapen përtej shputave, shkruan National Geographic, përcjell Telegrafi.
Si shkaktojnë këpucët dhimbje
Që trupi të lëvizë në mënyrë efikase dhe pa dhimbje, shputat kanë nevojë për këpucë që mbështesin lëvizjen e tyre natyrale.
“Sa herë që ecim, shputat duhet të ndryshojnë formë,” thotë fizioterapisti Otto Lam nga Good Reps Therapy. “Thembra duhet të prekë e para tokën, shputa të rrotullohet përpara, gishtat të hapen para shtytjes, por këpucët e gabuara e prishin këtë sekuencë.”
Nëse dikush me shputa të gjera mban këpucë të ngushta, nuk do të mund ta përshtatë këmbën me tokën, sqaron Lam.
Ky kufizim mund të shkurtojë hapin dhe ta detyrojë ijën dhe pjesën e poshtme të shpinës të punojnë më shumë. Me kalimin e kohës, këto kompromise të vogla shkaktojnë dhimbje kronike, prishin ecjen, ngarkojnë nyjat dhe përkeqësojnë ekuilibrin.
Disa lloje këpucësh krijojnë probleme shtesë. Sandalet japoneze (flip-flops), për shembull, “na detyrojnë të shtrëngojmë gishtat”, thotë Lam. Ky shtrëngim pengon gishtat të relaksohen dhe të hapen, çka është thelbësore për mekanikën normale të ecjes. Kjo jo vetëm që shkakton tension në harkun e shputës, por mund të sjellë edhe dhimbje në pulpa.
Këpucët e rrafshëta ose të konsumuar pa mbështetje të harkut mund të shkaktojnë dhimbje brenda gjurit. Taket zhvendosin peshën e trupit përpara, duke ngarkuar pjesën ballore të shputës dhe pjesën e poshtme të shpinës. Mokasinat, këpucët minimaliste dhe ato me platformë mund të kufizojnë stabilitetin ose lëvizjen natyrale, duke detyruar muskujt të punojnë tepër.
Edhe një këpucë e vetme e parehatshme mund të ndryshojë mënyrën e ecjes.
“Le të themi se këmba e djathtë më shkakton siklet, ndërsa e majta jo, për shkak të asaj këpuce. Atëherë do ta zvogëloj hapin dhe do të vendos më shumë peshë mbi këmbën tjetër, gjë që rrit ngarkesën në gju, ije dhe pjesën e poshtme të shpinës në atë anë“, shpjegon Lam.
Qoftë nga përshtatja e dobët, shtresa e konsumuar apo mospërputhja mes dizajnit të këpucës dhe formës së shputës, këpucët e gabuara mund të nxisin në heshtje një zinxhir dhimbjesh në trup.
Si ta kuptoni nëse dhimbja vjen nga këpucët
Një nga gjërat e para që Cunha kërkon nga pacientët e tij është t’i vendosin këpucët mbi tavolinën e ekzaminimit, sepse shenjat e konsumimit tregojnë shumë.
“Po ashtu siç ecim të gjithë, këmbët përkulet pak nga brenda, që do të thotë se qendra e shputës ulet. Por nëse përkulen shumë, do ta dëmtoni më shumë pjesën e brendshme të këpucës dhe thembrave“, thotë Kunja
Kjo shkakton rrotullimin e shputës nga brenda, pastaj edhe të këmbës, gjë që çon në probleme të ndryshme, si fasciti plantar, tendinitin e Akilit, dhimbje në pjesën e brendshme të gjurit, në ije dhe pjesën e poshtme të shpinës.
Për të zbuluar shkakun, Cunha shpesh bën analiza të ecjes. Ndonjëherë realizohen në ordinancë, por edhe një video e thjeshtë e pacientit duke ecur drejt dhe larg kamerës mund të zbulojë parregullsi në hap ose qëndrim. Këta tregues ndihmojnë të përcaktohet nëse dhimbja vjen nga mekanika e trupit apo nga këpucët e papërshtatshme.
“Edhe nëse nuk keni probleme me shputat, por ndieni dhimbje në shpinë, unë rekomandoj përdorimin e shollave ortopedike të personalizuara”, thotë Cunha.
Shollat standarde mund të ndihmojnë në raste të lehta, por ato të personalizuara formohen sipas formës unike të shputës dhe mënyrës së ecjes suaj, duke qenë më efektive për të korrigjuar disbalancat që çojnë në dhimbje kronike.
Si të zgjidhni këpucët e duhura
Kur të kuptoni shkakun e dhimbjes, fokusohuni tek gjetja e këpucëve që i përshtaten formës dhe lëvizjes së shputës. Shputat e rrafshëta përfitojnë nga këpucët e qëndrueshme me thembra të forta, ndërsa harku i lartë shpesh ka nevojë për më shumë amortizim. Shputat më të gjera kërkojnë pjesë të përparme më të hapura, ndërsa ato të ngushta duan një përshtatje më të fortë për të shmangur rrëshqitjen.
Cunha dhe Lam rekomandojnë gjithmonë blerjen e këpucëve në dyqan. Jo vetëm që mund t’i provoni vetë, por edhe stafi mund t’ju masë shputat me matësin Brannock, që përcakton gjatësinë, gjerësinë dhe formën për numrin më të saktë.
“Gjithmonë u them pacientëve të blejnë këpucë në fund të ditës, kur shputat janë më të fryra dhe në gjendjen e tyre më ‘të keqe’ për shkak të gravitetit”, këshillon Cunha.
Këpucët që përshtaten mirë duhet t’i sjellin trupit ndjesi lehtësimi. “Do ta ndieni në shpinë. Do të ndiheni më të lehtë. Edhe teksa ecni në dyqan, dhimbja e shpinës do të zbutet”, shton ai.
Për qëndrueshmëri dhe mbështetje anatomike, Cunha rekomandon këpucë të aprovuara nga Bordi Amerikan i Podologjisë.
“Markat që rekomandoj janë Hoka, Brooks, Saucony, New Balance dhe ASICS,” thotë ai. “Tek ata, funksioni është mbi modën”
Duhet pasur parasysh se edhe këpucët më cilësore kanë jetëgjatësi të kufizuar. Atletet për ecje ose vrap zakonisht zgjasin 500-800 km, ose rreth 6-12 muaj përdorimi të rregullt. Këpucët e përditshme mund të zgjasin më shumë, por duhen ndërruar sapo të konsumohet sholla, të rrafshohet pjesa e mesme ose të shfaqen dhimbje të reja.
Kontrolloni rregullisht shenjat e konsumimit, humbjen e amortizimit ose ndryshimet në mbështetje dhe kushtojini vëmendje dhimbjeve të reja në shputa ose nyje që nuk lidhen me ndryshime aktiviteti, këshillon Lam.
Në fund, këpucët e duhura janë ato që i përshtaten të dy shputave dhe mbështesin mënyrën tuaj natyrale të lëvizjes.
“Trupi ynë është i lidhur në mënyrë të ndërsjellë. Duhet të kujdeseni për të tërin dhe për çdo pjesë të tij,” thekson Cunha për National Geographic.