Telenews

21 raste të reja me HIV/AIDS në Kosovë gjatë vitit 2026, dy persona humbën jetën

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga 1 janari deri më 17 korrik 2026 në vend janë regjistruar 21 raste të reja me HIV/AIDS.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, gjatë së njëjtës periudhë kanë humbur jetën edhe dy persona të prekur nga HIV/AIDS.

Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që të kryejnë testime të hershme, duke theksuar se diagnostikimi në kohë është i rëndësishëm për fillimin e trajtimit dhe menaxhimin e sëmundjes.

“Testimi është i thjeshtë dhe konfidencial. Testimi i hershëm shpëton jetë”, ka deklaruar IKSHPK-ja.

Personat e diagnostikuar me HIV mund ta mbajnë virusin nën kontroll përmes terapisë antiretrovirale, e cila ndihmon në forcimin e sistemit imunitar dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës.

HIV-i është virus që sulmon sistemin imunitar të organizmit, ndërsa AIDS-i paraqet fazën më të avancuar të infeksionit, kur sistemi imunitar është dobësuar ndjeshëm.

Virusi mund të transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, kontaktit me gjakun e infektuar, si dhe nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes apo ushqyerjes me gji.

IKSHPK-ja ka rikujtuar se HIV/AIDS nuk transmetohet përmes kontakteve të zakonshme sociale, si shtrëngimi i duarve, përqafimet, përdorimi i përbashkët i enëve ushqimore apo pickimi i mushkonjave.

Të ngajshme

Konsumimi i lartë i mishit të kuq lidhet me rrezik më të madh për kancerin e pankreasit

KushtrimGuraj

Dramë në një hotel në Spanjë, mbi 60 turistë përfundojnë në spital pas helmimit me gaz

Yllka Gashi

Studimi: Ish-duhanpirësit që përdorin cigare elektronike kanë rrezik më të lartë për kancer të mushkërive

KushtrimGuraj