Telenews

21 vjeçari që i plagosi tre persona në Pejë planifikonte arratisje nga Kosova

21 vjeçari Agron Gashi, pas plagosjes së tre personave në qendër të Pejës, arriti që me ndihmën e një personi të largohet nga vendi i ngjarjes dhe të strehohet në vendlindjen e tij.

I dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë duket se kishte plane të e braktiste Ozdrimin e Pejës, e të arratisej për në një shtet tjetër, institucionet i kanë rënë në gjurmë këtij plani që për pak nuk u realizua.

“Njëkohësisht kemi pranuar informata që personi i dyshuar për plagosjen e trefishtë ka përgatitur një plan për arratisje nga Republika e Kosovës dhe për këtë çështje menjëherë janë ndërmarrë veprime intensive. Është lokalizuar personi i dyshuar dhe më pas është arrestuar”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Agron Gashi që aktualisht ndodhet në paraburgim edhe më herët kishte pasur probleme me ligjin. Madje RTV Dukagjini merr vesh se ai është i përfshirë në gati 20 vepra penale, e disa prej tyre i tregon edhe vet zëdhënësi i Prokurorisë.

“Ky person i pandehur vitin e kaluar e ka shkelur me veturë një zyrtar policor përkatësisht nuk i është ndalur zyrtarit policor dhe e ka goditur me veturë i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe është arratisur nga vendi i ngjarjes”, ka shtuar Nikçi.

Sipas Nikçit, Gashi ka qenë në arrati për një kohë dhe është arrestuar e dërguar në paraburgim për disa muaj, dhe i është ngritur aktakuzë. Por, tregimi nuk përfundon me kaq.

“Gjatë kohës sa i njëjti ka pasur për t’u intervistuar tek Prokurori që është në këtë rast Ersan Qavolli, i njëjti dyshohet se i ka thënë avokatit të tij në prezencë të një zyrtari shtetëror se ‘po ta nxo këtë Prokuror në ndonjë qoshe do t’ia tregoj qejfin’, dhe për këtë çështje është dorëzuar kallëzim penal për veprën penale kanosje ndaj Prokurorit të Shtetit”, ka thënë më tej ai.

Për Policin që e shkeli me veturë, Agron Gashit, sipas prokurorit Qavolli, i është ngritur aktakuzë për rrezikim të trafikut publik me veprime të rrezikshme dhe mosdhënie e ndihmës.

Ndërkohë RTV Dukagjini e ka kontaktuar përmes telefonit edhe avokatin e të dyshuarit, por i njëjti nuk ka dashur të flas lidhur me rastin.

E gjendja e të plagosurve mbetet e njëjta. Babai i dy të rinjve pa vetëdije, bashkë me njërin djalë po trajtohen në mjekim Intensiv.

“Dy nga tre të plagosurit që nga data 23 po trajtohen në mjekimin intensiv qendror. Baba i dy të plagosurve, J.B. edhe ky i plagosur, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, i intubuar dhe pa vetëdije. Më datën 25 i njëjti i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik dhe gjendjen e ka të njëjtë. J. B., njëri nga djemtë, që nga pranimi në intensivë më datë 24 ka qenë me vetëdije dhe gjendja e tij është relativisht stabile”, ka thënë mjekja kujdestare Ingerta Sahiri-Krasniqi.

Një ndër pistat që po i ndjekë Prokuroria lidhur me rastin janë dyshimet se zënka ka nisur pas shitblerjes së një veture. Njëri nga të plagosurit është konfirmuar se është pjesëtar i FSK-së.

source

Të ngajshme

Në mbledhje elektronike, qeveria bën dy emërime

Donat Hashani

Kandidati për prokuror të shtetit ndalohet për dhunë në familje nga Prokuroria e Prizrenit

Donat Hashani

Zyrtarja e lartë e PDK-së sot mban konferencë për media

Donat Hashani