
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar dy miqtë e tij të hershëm të Kosovës, Joe dhe Shirley DioGuardi, me rastin e marrjes së shtetësisë së Kosovës.
Haradinaj ka vlerësuar veçanërisht kontributin e Joe DioGuardit dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), duke theksuar se ata ishin ndër të parët që, që nga viti 1989, ndihmuan në hapjen e dyerve të Uashingtonit dhe Kongresit Amerikan për çështjen shqiptare.
“Në ditët tona më të vështira, ata u bënë zëri ynë dhe ndërtuan urat e miqësisë së përjetshme me ShBA-të”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se Kosova nuk i harron miqtë që e mbështetën në periudhat më të vështira, duke e cilësuar marrjen e shtetësisë si një simbol të lidhjes së veçantë të DioGuardëve me Kosovën.
“Nga sot ju jeni edhe zyrtarisht shtetas të Kosovës që e deshët dhe e mbrojtët aq shumë. Faleminderit për gjithçka!”, ka shkruar Haradinaj.
Në fund, ai ka uruar që miqësia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të vazhdojë të jetë e fuqishme: “Zoti e bekoftë miqësinë tonë me Amerikën!”


